Në datën 4 tetor 2024 u zhvillua në Korçë takimi prezantues i raportit të ekspertëve për transformimin e Universitetit “Fan S. Noli” në një qendër rajonale të ekselencës dhe të kërkimit shkencor.
Në takim ishin të pranishëm ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu, drejtuesit e stafi akademik i UNIKO, përfaqësues të pushteti vendor, deputeti i Qakut Korçë, z. Niko Peleshi, përfaqësues të institucioneve vendore etj.
Në fjalën e tij rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi theksoi: “Në këtë dokument bëhet një skanim dhe analizë e situatës aktuale të Universitetit në lidhje me ofertën akademike, punën kërkimore-shkencore dhe bazuar te rezultatet e kësaj analize, tek objektivat e zhvillimit të arsimit ë lartë në Shqipëri dhe jo vetëm, te sfidat për përmbushjen e tyre, raporti siguron një dokument bazë për hartimin e strategjisë së transformimit të fakulteteve dhe të Universitetit në përgjithësi. Për më tepër ky dokument është një plan i përgjithshëm strategjik, i cili na ndihmon të përqëndrohemi te një vizion i qartë dhe të projektojmë saktë se ku duhet të jetë UNIKO në terma afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë”.
Pas prezantimit të raportit nga ekspertët e programit “Research Expertise” Diaspora Akademike, READ: phd. Dritan Agalliu nga Universiteti Columbia; prof. as. dr. Mirjeta Beqiri nga Universiteti Gonzaga dhe ekspertja e statistikave, phd. Lantona Sado, ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Ogerta Manastirliu nënvizoi se qëllimi është për ta kthyer këtë universitet në qendër rajonale të ekselencës dhe të kërkimit shkencor, që do të shërbejë si model edhe për profilizimin dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve të tjera rajonale.
Në takim dhanë mendimet e tyre për transformimin e UNIKO deputeti i qarkut z. Niko Peleshi, përfaqësuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, znj. Jonida Lamaj, administratore e programit për Arsimin dhe Lidershipin dhe z. Enrik Keco, koordinator i programit READ.
Projekti për vlerësimin dhe zhvillimin e Universitetit “Fan S. Noli” është kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe është financuar dhe zhvilluar nga AADF.