SENATI AKADEMIK I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” NDEROI ME TITULLIN “DOCTOR HONORIS CAUSA” REKTORIN E UNIVERSITETIT TË TIRANËS, PROF. DR. ARTAN HOXHA

Senati Akademik i Universitetit “Fan S. Noli” i mbledhur në datën 31 maj 2022 vendosi të nderojë me titullin “Doctor Honoris Causa” rektorin e Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha. Ceremonia solemne u zhvillua në datën 9 qershor 2022, në sallën e konferencave “Teodor Laço” të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, ku të pranishëm ishin Senati Akademik, personalitete të botës akademike të të dy universiteteve, përfaqësues të pushtetit vendor e institucioneve, komuniteteve fetare, si dhe të ftuar të tjerë.

Fjalën motivuese për dhënien e titullit prof. dr. Artan Hoxhës e mbajti prof. dr. Ali Jashari, i cili ndër të tjera theksoi: “Ky titull që Senati Akademik i Universitetit “Fan S. Noli” i jep prof. dr. Artan Hoxhës është përmbushja e një pengu të madh nderimi për Universitetin e Tiranës, për profesorët dhe drejtuesit e këtij institucioni. Ky peng nderimi zë fill qysh në vitet `70 të shekullit të kaluar kur në Korçë u hap filiali i parë, ku spikati ndihmesa e paçmuar e profesorëve nga Universiteti i Tiranës. Por ky peng nderimi u rrit edhe më shumë pas krijimit të Universitetit të Korçës në janar 1992, ku shumica e atyre që filluan punë si pedagogë ishin diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe kishin një përvojë të gjatë pune në arsimin parauniversitar apo në sektorë të tjerë. Ky peng nderimi u bë më domethënës për faktin se rritja sasiore dhe cilësore e programeve të studimit në universitetin tonë dhe ngjitja e shkallëve akademike të pedagogëve tanë nuk mund të arrihej pa ndihmën e drejtuesve dhe profesorëve të ftuar të të gjitha fakulteteve të Universitetit të Tiranës, pa “bon-sens-in” dhe pa atë që quhet “spiritus rector” (shpirtin drejtues) i rektorëve të këtij universiteti”. Gjithashtu, prof. Ali Jashari u ndal edhe në karrierën afro 40- vjeçare të prof. Artan Hoxhës gjatë së cilës ai është dalluar për merita dhe ndihmesa të veçanta në fushën e së drejtës, të arsimit të lartë dhe në veprimtarinë shoqërore, duke veçuar ndër të tjera aftësitë dhe përkushtimin e lartë në ushtrimin e detyrës së tij si Rektor i Universitetit të Tiranës dhe Kryetar i Konferencës së Rektorëve të institucioneve të Arsimit të Lartë. 

Më pas, prof. dr. Edmond Rapti, dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, UT një ndër bashkëpunëtorët e hershëm të Universitetit tonë dha vlerësimin e tij për dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa” prof. Artan Hoxhës. Ai u shpreh se krahas kontributit të prof. Hoxhës në fushën e drejtësisë dhe në fushën e reformave ligjore, ai ka një kontribut të veçantë e shumëplanësh në fushën e arsimit të lartë shqiptar, ndërsa evidentoi bashkëpunimin e shkëlqyer të profesorit me Universitetin ‘Fan S. Noli” të Korçës, qytet nga i cili prof. Hoxha ka edhe origjinën e tij.        

Në fjalën e tij, rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello u shpreh: “Mendoj se duke i dhënë këtë titull nderimi prof. dr. Artan Hoxhës ne kemi nderuar gjithë brezin e profesorëve dhe drejtuesve të Universitetit të Tiranës ndër vite, çka është plotësisht e merituar dhe që këtë vit përkon edhe me 65-vjetorin e krijimit të UT”. Ai i dorëzoi prof. Hoxhës titullin me këtë motivacion: “Për bashkëpunimin e ngushtë me Universitetin “Fan S. Noli”, për ndihmesat e çmuara që kanë dhënë dhe japin drejtuesit dhe profesorët e fakulteteve të Universitetit të Tiranës, në mësimdhënie, në veprimtaritë e përbashkëta shkencore, në udhëheqjen e stafit akademik, si dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta midis dy universiteteve. Në shenjë mirënjohjeje nga stafi akademik, studentët dhe drejtuesit e Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë”.

Prof. Artan Hoxha falënderoi për këtë vlerësim Universitetin “Fan S. Noli”: “Unë jam i nderuar disa herë me këtë titull së pari për arsye se këtë ma jep një universitet i cili ka një traditë të gjatë në mësimdhënie, në kërkim shkencor, në inovacion dhe kontribut për Arsimin e Lartë në Shqipëri, së dyti të dy universitetet janë në vite përvjetorësh, UT në 65-vjetorin e krijimit dhe Universiteti “Fan S. Noli” festoi 50-vjetorin e krjimit që do të thotë rritemi bashkë, zhvillohemi bashkë, japim kontribute së bashku”.

Prof. dr. Artan Hoxha është diplomuar për drejtësi në vitin 1983. Ai ka një kontribut të pazëvendësueshëm në ndryshimet ligjore pas viteve `90. Gjithashtu ka shërbyer edhe si prokuror dhe gjyqtar. Gjatë karrierës së tij mbi 40-vjeçare ai është dalluar për merita të veçanta në fushën e së drejtës, në hartimin e reformës në drejtësi, ndërsa ka dhënë ndihmesën e tij gjatë bashkëpunimit të shkëlqyer me Universitetin “Fan S. Noli”.

Previous Post
FAKULTETI I EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË ORGANIZOI KONFERENCËN III STUDENTORE ME PUNIME TË STUDENTËVE BACHELOR DHE MASTER
Next Post
UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” ZHVILLOI KONFERENCËN I NDËRKOMBËTARE “LINGUISTIC PERSPECTIVES IN THE LIGHT OF SOCIAL DEVELOPMENTS”-“E-LEARNING APPROACHES TO LINGUISTIC ACQUISITION”