REKTORI I UNIKO, PROF. DR. DHIMITRI BELLO PRITI NË TAKIM ZËVENDËSAMBASADORIN ITALIAN NË TIRANË, Z. ALBERTO PITRANGELI

Në datën 24 maj 2021, rektori i Universitetit “Fan S. Noli” prof. dr. Dhimitri Bello priti në takim zëvendësamabasadorin italian në Tiranë, z. Alberto Pitrangeli, drejtoren e Save the Children në Shqipëri, znj. Anila Meço dhe përfaqësuesit e Agjencisë Italiane për Zhvillim, z. Ernesto Spinelli dhe z. Endri Xhaferaj. Në këtë takim, ku morën pjesë edhe drejtues të tjerë të UNIKO, pedagogë dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe institucioneve, u fol për zgjerimin e bashkëpunimit midis Universitetit të Korçës dhe atyre italiane. Rektori u ndal në disa nga projektet aktuale që UNIKO ka me universitete në Itali, duke veçuar programin e studimit “Edukim për Fëmijërinë dhe Foshnjërinë e Hershme”, një bashkëpunim i suksesshëm midis Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, UNIKO dhe Universitetit “Giovanni Maria Bertin”, të Bolonjës, Itali. Ai kërkoi mbështetjen e Ambasadës Italiane që këto bashkëpunime të nisura të forcohen e zgjerohen më tej, veçanërisht në programe të ndryshme të BE-së, aty ku kryhen edhe mobilitete të stafit dhe studentëve. Zëvendësrektorja e UNIKO, dr. Benita Stavre tha se bashkëpunime të tilla kthejnë vëmendjen drejt universiteteve rajonale, duke bërë që lidhjet me universitetet italine të mos jenë vetëm iniciativa pedagogësh, por të bëhen institucionale. Ajo theksoi se tashmë Universiteti i Korçës është orientuar drejt kërkimit duke e hapur atë në arenën ndërkombëtare.

Zëvendësambasadori Pitrangeli, falënderoi Rektorin për pritjen dhe u shpreh se përvoja e ka treguar se edhe qytetet e vogla kanë universitete shumë të mira, duke u kthyer në qendra për zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë, ndërsa siguroi edhe mbështetjen e Ambasadës Italiane në këtë drejtim. Gjithashtu, ai theksoi bashkëpunimin e suksesshëm të UNIKO me Universitetin e Bolonjës dhe Bashkinë e Korçës për ecurinë e programit të studimit “Edukim për Fëmijërinë dhe Foshnjërinë e Hershme”, duke e vlerësuar Universitetin “Fan S. Noli” me Çmimin e  Ekselencës.  Një përshkrim të zgjeruar të punës konkrete që realizohet në këtë program studimi bëri për të pranishmit pedagogu i FEF, Arjan Kamburi, ndërsa zëvendësambasadori Pitrangeli zhvilloi një takim të shkurtër edhe me studentët, ku tregoi interes për mënyrën se si e vlerësojnë ata këtë profesion. Së fundi, ai vizitoi mjediset e laboratorit të EFFH dhe të QFV.

Previous Post
THIRRJE PËR PJESËMARRJE NË KONFERENCË SHKENCORE – TETOR 2021
Next Post
“PËRQAFO NATYRËN”-VEPRIMTARI E ORGANIZUAR NGA DEPARTAMENTI I BIOLOGJI-KIMISË NË KUADËR TË DITËS NDËRKOMBËTARE TË BIODIVERSITETIT DHE ME RASTIN E 50-VJETORIT TË UNIKO