Në datën 26 qershor 2025 në Universitetin “Fan S. Noli” u përurua libri i autorit, dr. Pashko R. Camaj me titull “Porosia e kullës”, në një takim letrar të organizuar nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Onufri”.
Takimin e hapi përgjegjësi i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, prof. as. dr. Eris Rusi, i cili u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve në takim: pedagogë dhe studentë të FEF, poetë, shkrimtarë e dashamirës të librit, si dhe të ftuar të tjerë. Ai i njohu ata me dr. Camajn jo vetëm si autor i librit, por edhe si sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra” në New York, SHBA.
Në fjalën e saj dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho theksoi se nëpërmjet Porosisë së Kullës malësorët dhe shqiptaro-amerikanët në përgjithësi të mund të ruajnë trashëgiminë dhe amanetin shekullor të brezave arbërorë edhe në Amerikën e largët. Ajo tha se ky libër emocionues është një rrëfim mbresëlënës i jetës së autorit. Realizimi i ëndrrës amerikane dhe malli, dashuria e dhimbja për atdheun e të parëve.
Vlerësime për librin përcolli edhe drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Onufri”, z. Bujar Hudhri, i cili u ndal edhe në disa momente të veçanta nga puna me autorin, duke e çmuar për talentin dhe modestinë që e karakterizon.
Më pas, pedagogu, dr. Ilir Shyta u ndal në disa momente të veçanta të këtij libri me përmbledhje tregimesh të vërteta mbi përvojat që autori, motrat, vëllezërit dhe të afërmit e tij kanë kaluar nga fëmijëria e deri në ditët e sotme.
Falënderime të sinqerta përcolli për këtë organizim edhe vetë autori dr. Pashko R. Camaj, i cili në këtë takim mori edhe dy vlerësime të veçanta. Vlerësim nga Klubi i Shkrimtarëve “Bota e re”, Korçë dhe nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë. Dekania i dorëzoi atij Certifikatën e Vlerësimit me këtë motivacion: “Në vlerësim të kontributit të tij të vyer profesional dhe angazhimit të plodhur publik, që kanë ndihmuar në rritjen e vlerave të komunitetit shqiptar në SHBA. Si sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, dr. Camaj ka dëshmuar përkushtim të veçantë ndaj ruajtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare në Diasporë”.
Takimi vijoi me diskutime nga të pranshmit të cilët treguan interes për shkrimin e këtij libri dhe rrëfimet e autorit, duke sjellë edhe momente nga jeta e pëvojat e tyre larg atdheut.
Autori, dr. Pashko R. Camaj dhe drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Onufri”, z. Bujar Hudhri zhvilluan një takim edhe me rektorin e Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi, ku u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në të tjera veprimtari.