Në datën 10 dhjetor 2024 departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë organizoi një veprimtari kulturore për prezantimin e numrave të botuar të revistës “Illz” dhe numrit special të saj, me poezitë e zgjedhura të poetit Skënder Rusi.
Të pranishëm në këtë veprimtari ishin pedagogë e studentë të këtij Departamenti, si dhe z. Rexhep Shahu botues dhe kryeredaktor i revistës “Illz”, drejtuesi i Klubit të Poezisë, z. Flamur Hoxha, sponsor i revistës “Illz”.
Takimin e hapi përgjegjësi i këtij Departamenti, prof. as. dr Eris Rusi, i cili ndërsa çeli veprimtarinë u ndal në veprën e poetit të madh, babait të tij, që nuk është më mes nesh, duke përcjellë emocione të dyfishta te të pranishmit.
Vlerësimet e tyre për bashkëpunimin me poetin Skënder Rusi, duke e veçuar atë jo vetëm si poet, por edhe si një njeri me vlera unike e mik i çmuar përcollën në këtë ditë dekani i FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho, profesor Ali Jashari, dr. Ilir Shyta, dr. Albina Pajo, përgjegjës, departameni i Edukimit, poeti Istref Haxhillari, alumni i FEF, Monika Muzikanti, kantautori Maksi Kulla, miq e bashkëpunëtorë të poetit Skënder Rusi.
Ata, njëkohësisht, përgëzuan botuesit për këtë revistë, kopjet e së cilës tashmë do të jenë në duar e stafit dhe të studentëve.
Kjo veprimtari u krijoi mundësinë dashamirësve të letërsisë, për të njohur këtë revistë kulturore, e cila është bërë një platformë e rëndësishme për poezinë dhe letërsinë bashkëkohore, por edhe për t`u njohur me krijimtarinë e lirikut korçar Skënder Rusi, si autor i disa vëllimeve me poezi, të vlerësuara me çmime dhe të përfshira në disa antologji kombëtare dhe ndërkombëtare.
Veprimtaria u shoqërua me poezi të lirikut Skënder Rusi të interpretuara nga të pranishmit, ndërsa në fund të takimit u dhurua kolana e plotë e numrave të revistes “Illz” për bibliotekën e FEF.