Në datën 21 maj 2021, në mjediset e Amfiteatrit të Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, Departamenti i Biologji-Kimisë, zhvilloi veprimtarinë e dytë me karakter shkencor dhe ndërgjegjësues të titulluar: “Përqafo Natyrën”. Kjo veprimtari, e cila u organizua në kuadrër të Ditës Ndërkombëtare të Diversitetit Biologjik, kishte një pjesëmarrje të gjerë me drejtues të Universitetit “Fan S. Noli”, përfaqësues të pushtetit vendor, të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Korçë, të Qendrës së Ruajtjes dhe të Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), përfaqësues të Rezervës Ndërkufitare të Biosferës, Prespë, pedagogë, drejtues shkollash, mësues, studentë dhe nxënës. Takimin e hapi përgjegjësja e departamentit, dr. Desareda Mero dhe më pas përshëndetën të pranishmit: zëvendësrektori për mësimin në UNIKO, dr. Arto Adili dhe dekania e fakultetit, prof. as. dr. Sonela Stillo. Ata cilët përgëzuan grupin organizator, në veçanti studentët e përkushtuar të Departamentit të Biologji-Kimisë.
E ftuara e nderit në këtë veprimtari ishte prof. dr. Anila Paparisto, lektore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, ku nëpërmjet një lidhjeje online, referoi prezantimin e saj tepër interesant, duke u ndalur në disa nga llojet e organizmave invertebrore të rrezikuara për zhdukje, në zonën e Korçës. Veprimtaria vazhdoi me prezantime të tjera, të cilat vunë në dukje punën e pedagogëve dhe studentëve të Departamentit të Biologji-Kimisë, si dhe të organizatave mjedisore, në drejtim të njohjes së vlerave dhe ruajtjes së diversitetit biologjik. Sipas dr. Desareda Mero synimi i kësaj veprimtarie ishte krijimi i urave lidhëse ndërmjet hallkave të ndryshme të shoqërisë, me qëllim ngritjen e strukturave të posaçme për hartimin e planeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e diversitetit biologjik. Në fund të veprimtarisë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane dhe Qendrës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).