Në datën 29 maj 2025, Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri, në bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli”, si dhe organizata të shoqërisë civile lokale në Korçë, organizuan takimin ndërsektorial “Partneritet për Evropën: Roli i Shoqërisë Civile, Institucioneve Akademike dhe Aktorëve Kyç në Procesin e Integrimit dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Vendit”. Takimi u zhvillua në mjediset e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Humane, Universiteti “Fan S. Noli”.
Takimi vjen në kuadër të veprimtarisë “Qendra Burimore Lëvizëse” – një tur dhe seri veprimtarish në bashki të ndryshme të vendit, që synon të nxisë mobilizimin qytetar dhe të rrisë pjesëmarrjen në hapësirën publike, duke afruar burimet dhe ekspertizën e Qendrës pranë organizatave, aktorëve dhe grupeve të interesit.
Në fjalën e saj përgjegjësja e departamentit të Shkencave Sociale, dr. Suela Dinellari theksoi rëndësinë që ka ky takim në thellimin e bashkëpunimit ndërsektorial në mbështetje të proceseve integruese të Shqipërsië në Bashkimin Evropian. Ajo u ndal më konkretisht edhe në tematikën e këtij takimi që lidhet ngushtësisht me Kapitullin 3 të Negociatave- Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, thelbësore për të ardhmen e vendit.
Në sesionin I u trajtua tema “Rritja e bashkëpunimit ndërsektorial dhe roli i shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë kyç në zhvillimin e vendit në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE” nga
znj. Ariola Agolli, Drejtore Programi, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.
Në sesioni II u fol për “Prioritetet mbi fushat e punësimit, mbrojtjes sociale, arsimit, dhe rinisë në kuadër të procesit të negociatave për Grupkapitullin 3”, referuar nga znj. Nirvana Deliu, Eksperte, EMA dhe prof. asoc. dr. Elda Zotaj, Eksperte për Bashkimin Europian.
Në takim u theksua se fokusi kryesor i veprimtarisë është mundësitë për përfshirje të shoqërisë civile, aktivistëve, të rinjve që mbulojnë fusha të punësimit dhe përfshirjes sociale, rinisë dhe arsimit sa i përket procesit të negociatave dhe informimit e konsultimit mbi Grupkapitullin 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse.
Më 22 maj 2025 u mbajt Konferenca e 5-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e cila shënoi hapjen e Grupkapitullit 3. Brenda këtij grupkapitulli përfshihen edhe kapitujt si:
- Kapitulli 25 & 26 – që trajtojnë fushat e arsimit, kërkimit shkencor dhe të rinjve
- Kapitulli 19 & 20 – që mbulojnë politikat e punësimit, mbrojtjes sociale dhe sipërmarrjes
Kjo ngjarje e rëndësishme nënvizon nevojën për të diskutuar që tani mbi sfidat, prioritetet dhe reformat që lidhen me këto kapituj. këtë synoi dhe ky takim që të bëjë bashkë përfaqësues të organizatave, aktivistëve, stafit akademik dhe studentëve dhe të rinjve me qëllim rritjen e informimit dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre mbi procesin e negociatave të Shqipërisë me BE duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të aktorëve jopublikë në proceset e politikëbërjes dhe vendimmarrjes.