Në datën 26 prill 2022 në mjediset e Bibliotekës Shkencore të Universitetit “Fan S. Noli” u zhvillua një veprimtari, në të cilën u prezantua romani “Kënga e bilbilit” e shkrimtarit bullgar Stefan Ivanov, shqipëruar nga Katerina Bello. Në këtë promovim ishin të pranishëm pedagogë të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, pedagogë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, studentë, nxënës të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, Korçë e të ftuar të tjerë. Takimin e çeli pedagogu, dr. Eris Rusi si organizator i saj, duke theksuar se diskutimet kritike të ndërmarra nga rrjeti i kritikës letrare janë një mundësi e veçantë për të afruar lexuesit me librin, duke u ndalur edhe në mesazhet kryesore dhe jehonën që përcjell vepra. Veprimtarinë e përshëndeti edhe rektori i Universitetit, prof. dr. Dhimitri Bello, dhe më pas u lexuan edhe disa fragmente të shkëputura nga ky roman. Prof. Ivanov në përgjigje të interesit që treguan të pranishmit për zgjedhjen e temës tha: “Njerëzit janë gjëja më e rëndësishme në këtë botë. Ka patur njerëz trima dhe hipokritë në të gjitha epokat. Si njerëz të vërtetë ashtu edhe fallco. Secili prej nesh ka sistemin e tij të vlerës, besimet, përparësitë e tij. Besojini vetëm vetes suaj e mos lini të tjerët të vendosin për ju”. Ai tha se në shumë nga faqet e këtij romani lexuesi gjen reagimin e të afërmve të tij, fqinjëve, miqve, kolegëve dhe armiqve dhe shpesh edhe mendimet e tij. Ai gjithashtu falënderoi Universitetin tonë për këtë organizim dhe disa prej botimeve të tij i dhuroi për të pranishmit, si dhe për Bibliotekën e Universiteti “Fan S. Noli”.