Në datën 10 tetor 2025 në Universitetin “Fan S. Noli” u organizua një takim ku u prezantua botimi dhe gjetjet kryesore të këtij projekti, i cili mbështetet nga të ardhurat e UNIKO.
Takimin, ku të pranishëm ishin drejtues, pedagogë e studentë të UNIKO, përfaqësues të institucioneve vendore e të ftuar të tjerë, e hapi prof. dr. Irena Nikaj, e cila bëri edhe një pëmbledhje të veprimtarive kryesore të projektit.
Rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi dha vlerësimet e tij për këtë projekt, i cili ofron të dhëna dhe analiza rreth prirjeve për migrim, faktorëve nxitës, profilit të migrantëve etj. Një projekt i cili do të ndihmojë institucionet vendore në orientimin dhe planifikimin e politikave më efektive për të përballuar sfidat e migrimit dhe zhvillimit rajonal në të ardhmen.
Më pas, koordinatorja e projektit, dr. Denisa Titili prezantoi të dhëna dhe rezultate domethënese lidhur me përmasat e kësaj dukurie, duke e vënë theksin në prirjet për migrim të brendshëm dhe emigrim jashtë vendit, kryesisht të të rinjve nga rajoni i Korçës.
Pjesëmarrësit përgëzuan stafin për punën kërkimore dhe shfaqën interes për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në drejtim të adresimit të çështjeve që lidhen me dukuritë migratore.
Zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, dr. Aida Mosko u ndal në evidentimin dhe rëndësinë që ka studimi i migrimit potencial, si një fushë e re me interes studimi për shoqërinë shqiptare.
Botimi “Migrimi Potencial i Banorëve nga Rajoni i Korçës” shërben si një udhëzues konceptual për të kuptuar drejtimet kryesore në të cilat ky proces mund të ndikojë të ardhmen e zhvillimit të rajonit.
Ai është një ftesë e hapur për të gjithë studiuesit për ndërmarrjen e studimeve të mëtejshme ndërdisiplinore të orientuara kah fushave ku migrimi ka impakt.
Libri gjendet në Bibliotekën e UNIKO dhe në Bibliotekën “Thimi Mitko” të qytetit të Korçës.