“GJUHA SHQIPE NË SHKOLLË”-KONFERENCË SHKENCORE RAJONALE E ORGANIZUAR NGA DEPARTAMENTI I GJUHËS DHE I LETËRSISË  

Në datën 3 mars 2023, departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar organizuan Konferencën Shkencore Rajonale: “Gjuha Shqipe në Shkollë”, ku të ftar ishin mësues, pedagogë, studiues të gjuhës shqipe, studentë etj.

Konferencën e hapi përgjegjësja e Departamentit prof. as. dr. Anyla Saraçi, e cila përshëndeti pjesëmarrësit, duke vlerësuar edhe të gjithë ata që u prezantuan në këtë konferencë me punimet e tyre.

Punime të mbara u uroi pjesëmarrësve edhe drejtori i DRAP, Korçë, znj. Vinjola Rota, ndërsa z. Nikolin Gërmenji, foli në lidhje me kurrikulën e gjuhës shqipe në arsimin parauniversitar dhe disa aspekte të përdorimit të drejtë të gjuhës.

Fjalën kryesore në këtë konferencë e mbajti prof. dr. Ali Jashari, departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë, i cili prezantoi çështje të ditës në politikat gjuhësore për arsimin parauniversitar.

Seanca plenare u mbyll me temën: “Shqipja në Republikën e Maqedonisë së Veriut: problemet dhe sfidat e mësimdhënies dhe të zbatimit të një gjuhe zyrtare të pakicës” referuar nga z. Lirim Shabani, përfaqësues i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës (AZGj)-Maqedonia e Veriut.

Konferenca i zhvilloi më pas punimet në dy sesione paralele, ku u prezantuan mbi 40 punime shkencore në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe në shkollë dhe problemet e hasura gjatë procesit mësimor.

Të gjitha punimet e plota të konferencës do të përmblidhen në një botim elektronik online.

Previous Post
Regjistrimet për provimet e certifikimit të gjuhës greke
Next Post
Project: U2SID-University to society collaborations for inclusive digital transformation in the Western Balkans