FILLOI SHPËRNDARJA E KARTËS SË STUDENTIT PËR TË GJITHË STUDENTËT E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”

Në datën 5 qershor 2024 në Universitetin “Fan S. Noli” në takim me studentët e parë, të cilët u pajisën me Kartën e Studentit ishin të pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, drejtues të Universitetit dhe Këshilli Studentor.

Në fjalë e saj, prof. as. dr. Benita Stavre, zëvendësrektor për shkencën dhe projektet u shpreh ndër të tjera: “Kjo ishtë një kërkesë e vazhduar e Këshillit Studentor, drejtuar herë pas here Universitetit, Bashkisë dhe institucioneve të tjera të Arsimit. Sot, studentët e kanë mundësinë të kenë në dorë këtë Kartë që ofron disa shërbime dhe reduktime tarifash në disa prej institucioneve të rajonit tonë. Nga ana tjetër, ne si Universitet do të përpiqemi që të koordinohemi me institucione të tjera të ngjashme që i përkasin rrjetit të universiteteve që ofrojnë Kartën e Studentit dhe, me të cilët ne kemi bashkëpunim duke komunikuar drejtpërdrejt për shërbimet që ata ofrojnë, për të mundësuar shërbime paralele në UNIKO të kapshme nga studentët tanë”.

Kryebashkiaku Filo, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e vazhduar e të suksesshëm me UNIKO veçoi një grup shërbimesh, të cilat studentët e UNIKO do t`i përfitojnë me kushte të lehtësuar nëpërmjet kësaj Karte, duke përfituar 50% të vlerës së biletës në to, siç janë: vizitat në muze, në shfaqjet e Teatrit “Andon Z. Çajupi”, frekuentimi i Zonës Sportive të qytetit etj.

Procesin e shpërndarjes së Kartës së Studentit e përshëndeti në emër të studentëve edhe Kodhel Zere, Kryetar i Këshillit Studentor të UNIKO, i cili tha se tani do të përpiqemi për të mundësuar edhe zgjerimin e mëtejshëm të gamës së shërbimeve që studentët mund të aksesojnë nëpërmjet saj.

Të gjithë studentët e Universitetit “Fan S. Noli” janë të ftuar të paraqiten çdo ditë në mjediset e Bibliotekës së Fakultetit të Ekonomisë, ku po zhvillohet edhe procesi i pajisjes së tyre me Kartën e Studentit.

Previous Post
NJË GRUP PEDAGOGËSH E STUDENTËSH NGA UNIVERSITETI I PRISHTINËS VIZITUAN UNIKO KU ZHVILLUAN EDHE NJË TAKIM ME STAFIN E DEPARTAMENTIT TË HISTORISË DHE GJEOGRAFISË
Next Post
“QEVERISJA E SHQIPËRISË”- GJATË LUFTËS II BOTËRORE (1939-1944) U PARAQIT NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” NË NJË VEPRIMTARI TË ORGANIZUAR NGA DEPARTAMENTI I HISTORISË DHE GJEOGRAFISË