Në datën 10 dhjetor 2025 në Fakultetin e Bujqësisë, Universiteti “Fan S. Noli” u organizua një trajnim në vijimësi të bashkëpunimit me Urdhrin e Mjekut Veterinar Shqiptar.
Krahas stafit dhe studentëve në takim ishin të pranishëm edhe mjekët veterinerë e specialistë të fushës së veterinarisë.
Në këtë trajnim u refruan tema mjaft interesante në lidhje me “Organizatat Ndërkombëtare të Lidhura me Veterinarinë” nga prof. Gani Moka; “Diagnostikimi i Shpejtë, Trajtimi dhe Parandalimi i Sëmundjes Zoonotike të Leishmaniozës nga prof. Dhimitër Rapti; prof. Rezart Postoli soli studimin “Kolikat tek kuajt. Sfidat diagnostike, menaxhim praktik dhe parandalimi” dhe prof. Xhelil Koleci u ndal në “Sëmundjet infektive. Lija e dhenve dhe dhive”.
Nga UPMVSH u shprehën vlerësime për hapësira të tilla akademike që forcojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve universitare dhe organizmave rregullatorë, duke kontribuar në rritjen e cilësisë profesionale dhe formimin e brezit të ri të mjekëve dhe teknikeve veterinarë.
Në datën 21 nëntor 2025 në Universiteitn “Fan S. Noli” u zhvillua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Regional Development in Times of Change: Integrating Challenges” (“Zhvillimi rajonal në kohë ndryshimesh, sfida dhe mundësi për një të ardhme të qëndrueshme”) një bashkorganizm me Këshillin e Qarkut Korçë.
Takimin e hapi zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, UNIKO dr. Aida Mosko ndërsa më pas përshëndetën rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Petrika Tollkuçi, Ata vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla, të cilat krijojnë mundësi për diskutime e konsultime që në rastin konkret lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e rajonit. Të dy nënvizuan faktin se kjo konferencë shënon edhe fillimin e një cikli veprimtarish që do të sjellin mendimin akademik dhe ekspertizën shkencore në tryezat ku hartohen politikat dhe planet e zhvillimit rajonal.
Konferencën e përshëndeti edhe prof. dr. Nurten Deva, rektor, Universiteti “Isa Boletini”, Mitrovocë, si dhe prof. Mihaela Culea e prof. Brîndușa-Mariana Amălăncei nga Universiteti “Vasile Alecsandri”, Bacau, Romania, të cilat njëkohësisht prezantuan temën “Making a “fundamental change in the global equation on migration”: the Rëanda bill and media storytelling”.
Punimet e ditës së parë të konferencës u mbyllën dhe me referimet e pedagogëve të Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Irena Nikaj, dhe prof. dr. Gjergji Pendavinji, të cilët referuan temat: “Governance in Cross-Border Regions and Higher Education Institutions” dhe “Social Innovation: Social Innovation, an Important Factor for Sustainable Regional Development”
Dita e dytë vijoi serisht e alteruar me prezantime online dhe në auditorë në sesione paralele:
dhe sesioni i posterave, ku autorët dhe pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime me shkëmbime idesh e mendimesh rreth gjetjeve të sjella në këto postera.
Në datën 21 nëntor 2025 Fakulteti i Bujqësisë, Universiteti “Fan S. Noli” zhvilloi analizën e veprimtarisë akademike për vitn 2024-2025.
Dekani i Fakultetit, prof. as. dr. Besnik Skënderasi në fjalën e tij theksoi se raporti paraqet analizën vjetore të realizimit të qëllimeve dhe objektivave të përcaktuara në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe misionit terciar në Fakultetin e Bujqësisë gjatë vitit akademik 2024–2025. “Analiza është bazuar në të dhënat e mbledhura nga departamentet, rezultatet e studentëve, vlerësimet e stafit akademik dhe reagimet nga studentët”.
Dekani paraqiti raportin në prani të stafit akademik e ndihmësakademik të Fakultetit dhe të rektorit të UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi.
Gjatë kësaj analize u theksua se Fakulteti i Bujqësisë i Universitetit “Fan S. Noli” në veprimtarinë e tij mësimore ka synuar që nëpërmjet programeve të studimit që ofron, të kontribuojë në rritjen e standardeve akademike e shkencore, si dhe në përgatitjen e specialistëve të aftë në të gjitha fushat, sipas programeve të studimit që ai ofron. Drejtimet kryesor të veprimtarisë mësimore gjatë vitit akademik 2024-2025 për autoritetet drejtuese dhe stafin akademik të FB kanë qenë konsolidimi i programeve egzistuese në të tre ciklet e studimit në funksion të zgjerimit të fushës së zgjedhjes për nevojat që paraqet tregu i punës në rajonin e Korçës dhe më gjerë, si dhe akreditimi i dhjetë programeve të studimit.
Takimi vijoi me diskutime nga të pranishmit, ku u dhanë ide, mendime e sugjerime për ecurinë e punës dhe realizimin e objektivave të këtij Fakulteti ku stafi drejtues dhe pedagogët e tij do të vijojnë punën në drejtim të përshtatjes së infrastrukturës didaktike e shkencore me kërkesat që dalin për konsolidimin dhe përmirësimin cilësor të të gjitha programeve të studimit, në mënyrë që të rritet interesi i studentëve për të studiuar në programet që ofron Fakulteti i Bujqësisë.
Në kuadër të projektit HEALTH-CONNECT (TNE23-00059, CUP F91B24000320006), pedagogët e Fakultetit të Bujqësisë, dr. Aldona Minga dhe dr. Dorjan Marku zhvilluan një sërë takimesh pune me përfaqësues të Universitetit “Aldo Moro” të Barit, Itali.
Gjatë këtyre takimeve stafi akademik i Universitetit “Fan S. Noli” u fokusua në punën për zhvillimin e programeve të reja të studimit dhe të kërkimit në fushën e sigurisë ushqimore dhe të bujqësisë së qëndrueshme, si dhe në forcimin e bashkëpunimeve dypalësh me DISSPA – University of Bari, duke dhënë kontributin e drejtpërdrejtë në proceset e ndërkombëtarizimit të Universitetit tonë.
Në datën 30 tetor 2025, përfaqësuesit e Universitetit “Fan S. Noli” morën pjesë në veprimtarinë shkencore “Best Practices in Agriculture and Food, Security and Safety – Fostering Dialogue with Academic Partners and Stakeholders” të organizuar në BaLab Contamination Lab, ku u zhvilluan diskutime të rëndësishme mbi praktikat më të mira në bujqësi, sigurinë ushqimore dhe dialogun shkencor midis Shqipërisë dhe Italisë.
Këto veprimtari përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndëruniversitar në arenën ndërkombëtare dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik të të dy institucioneve.
Nga data 20-25 tetor 2025 Fakulteti i Bujqësisë, Universiteti “Fan S. Noli” mirëpriti me kënaqësi biologun nga Zvicra, phd. Tim Haye, i cili me nismën e pedagogut, dr. Nikolin Karapançi erdhi në UNIKO për të zhvilluar një studim kërkimor interesant për dëmtuesin Erthesina Fullo, (çimka kutërbuese me njolla të verdha) në laboratorët dhe infrastrukturën bashkëkohore që ofron ky Fakultet.
Gjatë kësaj periudhe, krahas studimit dhe një leksioni të hapur që mbajti për stafin dhe studentët në lidhje me gjetjet më interesante të tij, biologu nga Zvicra zhvilloi takime frytdhënëse edhe me dekanin e FB, prof. as. dr. Besnik Skënderasi dhe me stafin akademik, ku ndanë përvoja dhe hodhën themelet për bashkëpunime të reja shkencore.
Studiuesi Haye shpreh sot falënderimin dhe mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe mbështetjen që i ofroi Universiteti ynë.
Të tilla nisma forcojnë imazhin e universitetit tonë si një hapësirë e hapur për dijen, kërkimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke ngritur ura të reja komunikimi dhe partneriteti, e duke pasuruar përvojën kërkimore-shkencore të komunitetit tonë akademik.
23 tetor 2025- “Përhapja e dëmtuesit Çimka Kutërbuese me njolla të verdha (Erthesina Fullo) në Shqipëri – Një kërcënim për prodhimin bujqësor? -është tema e një leksioni të hapur që u zhvillua në Fakultetin e Bujqësisë.
Biologu, Phd Tim Haye, i cili punon pranë CABI Delemont Zvicër mbajti këtë leksion për stafin dhe studentët, duke sjellë të dhëna interesante në lidhje me këtë dëmtues që vitet e fundit ka njohur përhapje të gjerë edhe në vendin tonë.
Biologu Haye prezantoi për të pranishmit disa nga gjetjet më interesante të studimit të tij për Erthesina Fullo, si: prejardhja, fenologjia, shumimi, bimët bujtëse, mënyrat e mbrojtjes nga ky dëmtues, si dhe kontrolli biologjik i tij.
Në fund të takimit një falënderim të veçantë ai përcolli për stafin e Fakultetit të Bujqësisë, i cili e mirëpriti për gati një javë, duke i vënë në dispozicion laboratorët me të gjitha pajisjet e nevojshme që ai të kryente këtë studim.
Në datat 9,10,15 dhe 16 tetor 2025 në Universitetin “Fan S. Noli” u zhvilluan katër seanca këshillimi me studentë të Fakultetit të Bujqësisë me fokus kryesor përdorimin efektiv të inteligjencës artificiale në fushën e agorbiznesit dhe turizmit.
Gjatë këtyre seancave, me studentë të fushës së agrobiznesit u trajtuan temat: “Përdorimi i IA në industrinë e agroturizmit” dhe “Integrimi i programeve të inteligjencës artificiale në prespektivat e zhvillimit bujqësor” dhe me studentë të programeve Master të profileve bujqësi dhe ekonomi u trajtuan temat: “Integrimi i teknologjisë së mësimdhënies në auditorë” dhe “Praktika transformuese të mësimdhënies, të nxënit dhe kërkimit akademik nëpërmjet IA”.
Seancat u organizuan nga Qendra “SMART Inovation Center” e ngritur në kuadër të projekti Eramsus+ CBHE, SMART (https://smartinnovationcentres.com/) me qëllim zhvillimin e mendimit inovativ dhe sipërmarrës për të lehtësuar zhvillimin e qëndrueshëm të zgjidhjeve të zgjuara në ballkanin perëndimor.
Në datën 6 tetor 2025 u zhvillua në Universitetin “Fan S. Noli” ceremonia zyrtare e diplomimit të studentëve, “Dita Akademike 2025”.
Për vitin akademik 2024-2025 u diplomuan 773 studentë, prej të cilëve 60 në programet e Fakultetit të Bujqësisë, 217 në programet e Fakultetit të Ekonomisë, 184 në programet e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë dhe 312 në programet e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane.
Në këtë ceremoni u nderuan me “Medalje të Artë” 2 studente, 10 studentë u vlerësuan si “Studentë të Shkëlqyer” dhe me rezultate të larta, ndërsa mbi 160 studentë të tjerë shënuan emrat e tyre në Librin e Nderit të Universitetit.
Në fjalën e tij përshëndetëse rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi ndërsa uroi të gjithë studentët diplomantë u shpreh: “Ju falënderoj për praninë tuaj në këtë ditë të veçantë, ku kremtojmë përmbylljen me sukses të një etape të rëndësishme në jetën tuaj akademike dhe personale. Ju shpreh urimet më të përzemërta të gjithë të diplomuarve për vitin akademik 2024-2025.
Pavarësisht nga drejtimi që keni ndjekur, si: bujqësi, ekonomi, edukim e filozofi, apo shkenca natyrore dhe humane keni zgjedhur të angazhoheni në disiplina themelore, të cilat luajnë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë dhe përparimin e dijes. Fushat tuaja nuk janë thjesht drejtime studimi, por janë hapësira të thella kërkimi, ndikimi dhe kontributi publik.
Kjo ditë shënon jo vetëm një përmbyllje, por edhe një fillim të ri. Pas një rruge të mbushur me përpjekje, angazhim, dhe sakrifica sot festojmë jo vetëm një diplomë, por pjekurinë tuaj si profesionistë të rinj, të përgatitur për të dhënë kontributin tuaj në një botë që kërkon dije, integritet dhe aftësi. Diploma që merrni nuk është thjesht një dokument, ajo është një dëshmi e një formimi të plotë, të ndërtuar me përkushtim, në bashkëpunim me stafin akademik të Universitetit.
Besoj fort se formimi që keni marë këtu do të jetë baza e qëndrueshme mbi të cilën do të ndërtoni suksesin tuaj. Vlerat, dijet dhe aftësitë që keni fituar në Universitetin “Fan S. Noli” janë pasuria më e madhe që do t`ju shoqërojë në këtë rrugëtim.”
Në këtë ceremoni u përcollën urimet më të mira për të gjithë studentët diplomantë edhe nga përfaqësues të pushteti lokal, kryetari i Këshillit të Qarkut, Korçë, z. Petrika Tollkuçi e deputetja e PD, Qarku Korçë prof. as. dr. Ledina Alolli. Ceremonia u mbyll me Betimin e Hipokratit të cilin e lexoi në emër të studentëve diplomantë të departamentit të Infermierisë, përgjegjësja e departamentit, dr. Elda Nuni.
Në datën 26 shtator 2025 në mjediset e Fakultetit të Bujqësisë, në prani të drejtuesve të Fakultetit dhe Universitetit, pedagogëve, stafit administrativ e studentëve, familjarëve, miqve dhe të ftuarve të tjerë, znj. Feskë Hoxha laborante pranë departamentit të Agronomisë u vlerësua me Certifikatë Mirënjohjeje me rastin e daljes në pension.
Dekani i FB, prof. as. dr. Besnik Skënderasi në këtë ditë të veçantë për znj. Hoxha ndër të tjera u shpreh: “Sot jemi mbledhur për të nderuar dhe përshëndetur me respekt dhe mirënjohje një prej bashkëpunëtoreve tona më të përkushtuara, Feskë Hoxha. Ajo ka qenë për rreth 15 vjet një shtyllë e rëndësishme e funksionimit të departamentit të Agronomisë. Me përpikmëri, ndërshmëri, përkushtim dhe me një etikë pune të pakrahasueshme, ajo ka dhënë një kontribut të çmuar jo vetëm në përmbushjen e detyrave të saj teknike dhe administrative, por edhe në krijimin e një klime bashkëpunuese, të qetë e mikpritëse për të gjithë ata që kanë kaluar nëpër dyert e këtij institucioni”.
Përshëndetje dhe urime përcollën në këtë ditë edhe pedagogë të këtij Fakulteti, duke vënë në dukje punën dhe profesionalizmin e saj si një urë lidhëse midis stafit akademik dhe studentëve në mbështetje të vazhdueshme të proceseve të punëve laboratorike duke mbetur gjithmonë një figurë e dashur për të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me të.
Falënderimet e saj më të sinqerta për këtë vlerësim përcolli edhe znj. Feskë Hoxha, ndërsa ndau me të pranishmit emocione dhe disa nga momentet më të veçanta gjatë punës në këtë Fakultet.
Edhe rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi, ndërsa vlerësoi thjeshtësinë, qetësinë dhe urtësinë që e ka karakterizuar znj. Hoxha në punën e saj i dorëzoi Certifikatën e Mirënjohjes me këtë motivacion:
“Për përkushtimin, profesionalizmin, pasionin në punë dhe ndërgjegjen e lartë që ka treguar për vite me radhë si laborante dhe sekretare në Fakultetin e Bujqësisë. Në shenjë mirënjohjeje nga drejtuesit e Universitetit, stafi akademik dhe studentët me rastin e daljes në pension”.
Në datat 23-24 shtator 2025 në Fakultetin e Bujqësisë, Universiteti “Fan S. Noli” u zhvillua workshopin me temë: “Rritja e rolit të Universitetit në transferimin e teknologjive bujqësore të pasvjeljes të produkteve lokale” i organziuar në kuadër të projektit me të njëjtën temë të financuar nga UNIKO.
Sipas drejtuesit të projektit, prof. as. dr. Ilir Niçko ky workshop organzohet në bashkëpunim me Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, QTTB dhe AREB, Korçë.
Punime të mbara u uruan pjesëmarrësve edhe drejtues të UNIKO, FB, QTTB e AREB ndërsa takimi vijoi me paraqitjen e të dhënave të pyetësorit, referime në lidhje me përcaktimin e kohës së vjeljes, paketimi i produkteve hortikole, përgatitja e produkete për treg, me raste studimore mbi normat tregtare etj.
Në ditën e dytë ky workshop vijojë punimet me të tjera referime e studime të zhvilluara në kuadër të këtij projekti, si: përdorimi i mjeteve dixhitale për mbrotjen e kulturave-programi rim-pro; menaxhimi i cilësisë, produktet e mbrojtjes së bimëve para dhe pas vjeljes; programet e subvencionimit të prodhimit bujqësor të financuar nga Qeveria Shqiptare dhe BE; mbështetja bankare e fermerëve; teknologjitë e pasvjeljes-raste studimore etj.
Në fund të takim u shpërndanë edhe certifikatat e pjesëmarrjes.