BORDI KËSHILLIMOR, NJË STRUKTURË E RE E NGRITUR PRANË FAKULTETIT TË BUJQËSISË ZHVILLOI TAKIMI E PARË TË TIJ

Në datën 8 janar 2024 në Fakultetin e Bujqësisë, Universiteti “Fan S. Noli” u zhvillua takimi i parë i Bordit Këshillimor, një strukturë e re që përbëhet nga drejtues të këtij Fakulteti, drejtues të institucioneve publike e kompanive private që operojnë në Rajonin tonë, specialistë të fushave të ndryshme dhe alumni të këtij Fakulteti.

Dekani i FB, prof. as. dr. Besnik Skënderasi i falënderoi të pranishmit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdushme që i ofrojnë këtij Fakulteti, tashmë edhe si anëtarë të Bordit të ri Këshillimor. Ai vlerësoi kontributin që ata do të ofrojnë në kuadër të zhvillimit të kurrikulave bashkëkohore, leksioneve të hapura, praktikave të studentëve, pjesëmarrjeve në takime e tryeza diskutimesh me fokus bujqësinë, si dhe në promovimin e ofertës akademike të FB.

Në takim u theksua se janë të mirëpritura edhe sugjerimet dhe idetë që lidhen me nevojat për trajnime që mund të kenë fermerët në fushën e prodhimit bujqësor, agropërpunimit apo biznesit bujqësor me qëllim që Fakulteti i Bujqësisë të realizojë edhe objektivin e tij terciar për plotësimin e nevojave të këtyre komuniteteve.

Në këtë takim të parë, Dekani shprehu bindjen se idetë konkrete që u dhanë, mbështetja dhe angazhimi i të gjithëve do të sjellë projekte gjithëpërfshirëse kryesisht të të rinjve të rajonit tonë, por edhe të institucioneve, fermerëve etj.

 

Previous Post
VITI I RI, PËR DREJTUESIT E RINJ TË KËSHILLIT STUDENTOR TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” NISI ME NJË TAKIM ME REKTORIN, PROF. DR. LORENC EKONOMI DUKE SHËNUAR KËSHTU EDHE TAKIMIN E PARË TË PUNËS PËR TA NË KËTË MANDAT TË RI 2-VJEÇAR