AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË NË BASHKËPUNIM ME UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”, ORGANIZUAN KONFERENCËN SHKENCORE “FAN S. NOLI – PERSONALITET I GJITHANSHËM” ME RASTIN E 140-VJETORIT TË LINDJES SË TIJ

Në datën 17 qershor 2022, Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizoi Konferencën Shkencore me temë “Fan S. Noli – personalitet i gjithanshëm” në bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli”, me rastin e 140-vjetorit të lindjes së tij.

Akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në fjalën e hapjes ndër të tjera tha: “Nuk ka një figurë tjetër në historinë politike, shtetërore, kulturore dhe fetare si ajo e Fan Nolit, që të krahasohet me përmasat e tij: si njeriu që admironte qytetërimin e Perëndimit dhe lartësonte shkëlqimin klasik pers; si adhurues i Shekspirit dhe i Saadiut; si predikues i barazisë në jetën tjetër dhe nxitës e prijës i lëvizjeve të mëdha popullore; si hyjnizues i virtytit shqiptar dhe ndëshkues me kamzhik i veseve kombëtare; si poligloti që synonte të ripërkthente Shkrimet e Shenjta nga aramaishtja dhe mësonte kryegjuhën e ungjijve kur ishte në vitet e fundit të jetës; si shërbëtor i Zotit dhe i popullit; si parodizues i Avropit anadollak dhe qesëndisës i politikave hipokrite në Europë. Fan Noli nuk shkëlqeu në një fushë, por në të gjitha fushat që preku. Poet antologjik edhe kur eksperimentonte; përkthyes i pakapërcyeshëm, që provoi barazinë e shqipes përballë gjuhëve më të mëdha; njeriu që mbante korrespondencë me Bernard Shoun dhe i krahasuar vetëm me Ficxheraldin; historian që e ktheu veprën e vet në portë të detyrueshme drejt epokës së Gjergj Kastriotit; kompozitor e muzikolog; publicist e poliglot, që u shkroi grekëve, francezëve, italianëve dhe amerikanëve në gjuhën e tyre; aristokrat e skamnor; ai e lartësoi enciklopedizmin e rilindësve romantikë, qytetëroi mendimin shqiptar dhe e akademizoi jetën politike të epokës, duke mbetur në histori si fytyra më e denjë e parlamentarizmit shqiptar”.

Konferenca u përshëndet nga prof. dr. Dhimitri Bello, rektor i Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, si bashkorganizator në këtë veprimtari shkencore. “Në emër të institucionit që unë përfaqësoj, kam kënaqësinë të përshëndes sot këtë konferencë të veçantë, fryt i një bashkëpunimi të ngushtë që kemi prej vitesh me Akademinë e Shkencave. E veçanta është se konferenca i kushtohet një “personaliteti të gjithanshëm”, emri i të cilit prej 28 vitesh është edhe patron i Universitetit tonë në Korçë. Sot është vështirë që të gjesh një personalitet të tillë të gjithanshëm, shumëdimensional, që mund të studiohet në shumë plane, ku mund të gjejë veten gjuhëtari dhe letrari, historiani dhe politikani, muzikologu dhe filologu, artisti dhe publicisti e shumë e shumë të tjerë. Universiteti “Fan S. Noli” dhe Akademia e Shkencave, kanë zhvilluar një konferencë 10 vjet më parë, që në atë kohë përkonte edhe me 130- vjetorin e lindjes së Fan Nolit, ku mbi 115 studiues nga Shqipëria dhe trevat shqiptare hodhën dritë mbi pjesë të rëndësishme të jetës dhe veprës së këtij personaliteti. Në Universitetin “Fan Noli”, qysh prej disa vitesh është ngritur një qendër modeste e studimeve noliane, falë ndihmës që ka dhënë fillimisht prof. Nasho Jorgaqi dhe të tjerë, që ka për qëllim krijimin e një arkivi të plotë të veprës së Nolit për ta vënë në formë të dixhitalizuar në shërbim të të gjithë studiuesve. Këtu gjej rastin t’u bëj ftesë studiuesve dhe dashamirëve të Nolit për të ndihmuar në pasurimin e kësaj qendre me dokumente të tjera që mund të ketë gjithkush.Kam bindjen se në këtë foltore të Akademisë së Shkencave, studiuesit e nderuar, personalitete të spikatura në fushat përkatëse, do sjellin kumtime me një nivel shkencor të padiskutueshëm, për ta plotësuar edhe më mirë madhështinë e kësaj figure, sepse Fan Noli ka qenë dhe mbetet një “enciklopedi e gjallë”, së cilës studiuesit i janë drejtuar dhe do t’i drejtohen edhe në të ardhmen për të nxjerrë në pah anë të tjera të panjohura të jetës dhe të veprës së tij. Duke falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e kësaj veprimtarie shkencore, ju uroj përzemërsisht punë të mbarë e plot prurje të reja”!

Më pas, prof. dr. Ksenofon Krisafi mbajti kumtesën “Noli në diplomacinë shqiptare”. Ai e paraqiti Fan Nolin në profilin e një diplomati të afirmuar dhe si një nga personalitetet më të shquara të botës shqiptare, që bëri epokë me profilin e spikatur atdhetar, me shkëlqimin si politikan e diplomat, si personalitet me horizont të gjerë, me formim dhe koncepte demokratike.

Prof. dr. Kaliopi Naska u ndal më tej në veprimtarinë e Fan Nolit si politikan dhe deputet në Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin Kushtetues në shërbim të shtetit shqiptar, në vitet 1921-1924, duke e cilësuar Nolin si njërën nga figurat më të pastra politike që zhvilloi emancipimin politik demokratik të shoqërisë shqiptare. Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti përshëndeti konferencën në emër të KOASH dhe foli për kontributin e Nolit në kombëtarizimin e kishës ortodokse shqiptare.

Akad. Eno Koço mbajti kumtesën “Fan S. Noli dhe muzika”. Ai tha se interesi i Fan Nolit për muzikën nisi në kishë. Prof. as. dr. Marenglen Kasmi mbajti kumtesën “Noli dhe qeverisja e tij në fokusin e politikës gjermane”, duke u ndalur në këndveshtrimet e politikës gjermane ndaj Nolit e qeverisë së tij.

Akad. Shaban Sinani bëri të njohur botimin për herë të parë të disertacionit të Nolit, mbrojtur më 1946 në Universitetin e Bostonit, ku ruhej deri tani si daktiloshkrim. Ai foli për katër historitë Noliane të Gjergj Kastriotit, duke e nisur kronologjikisht nga historia e parë e Skënderbeut e Fan S. Nolit që i takon vitit 1921.

Vjollca Osja foli për përkthimet e Nolit në sistemin letrar shqip në interpretimin e dy tipologjive përkthimore, ndërsa Kastriot Gjika mbajti kumtesën “Didaktika e veprës letrare të Fan S. Nolit”.

Në konferencë mori pjesë edhe pedagogu i Universitetit “Fan S. Noli”, dr. Eris Rusi, i cili u dal në intuitën krijuese dhe mjeshtërinë e përkthimit në shqipërimet e Fan S. Nolit. Gjithashtu pati edhe referime të tjera, ku akademikët e studiuesit paraqitën profilin e plotë të Nolit si poet antologjik, përkthyes që provoi barazinë e shqipes përballë gjuhëve më të mëdha, historian, kompozitor e muzikolog, publicist, politikan e diplomat, që qytetëroi mendimin shqiptar dhe e akademizoi jetën politike të epokës.

Konferenca u mbyll me diskutime dhe më pas të pranishmit ndoqën ekspozitën bukinistike me veprat e Fan S. Nolit të organizuar me kontributin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

 

Previous Post
SIGURIA USHQIMORE ISHTE NË QENDËR TË NJË TRYEZE TË RRUMBULLAKËT ORGANIZUAR NGA DEPARTAMENTI I AGROUSHQIMIT NË KUADËR TË DITËS NDËRKOMBËTARE PËR SIGURINË USHQIMORE
Next Post
“FUTBOLLI PËR BAMIRËSI”-VEPRIMTARI E ORGANIZUAR NGA UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” DHE PREFEKTURA E QARKUT, KORÇË