Në datën 22 shkurt 2022 departamenti i Shkencave Sociale organizoi në mjediset e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane një tryezë diskutimi, ku ishin të pranishëm drejtues të institucioneve, me të cilët zhvillohen praktikat profesionale të studentëve të programit të studimit Bachelor në “Administrim dhe Politika Sociale”, programit profesional 2-vjeçar “Shërbim Social” dhe të programit Master Profesional në “Administrim Publik”. Tema bosht e takimit ishte përmirësimi dhe zhvillimi i kurrikulave në programet e mësipërme, duke marrë në konsideratë ide dhe mendime nga përfaqësues të institucioneve, ku studentët marrin njohuri praktike si specialistë të ardhshëm. Të pranishmit shprehën kënaqësinë për organizimin e këtij takimi me pedagogë të departamentit të Shkencave Sociale, ku u dhanë mendime të vlefshme nga përfaqësuesit e Bashkisë Korçë, Prefekturës, Zyrës Rajonale të Punës, Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social, Qendrës Rezidenciale, Korçë, Fondacionit World Vision, Degës së Kryqit të Kuq, Korçë etj., për një koordinim ndërinstitucional sa më efektiv për palët.
Konkretisht nga Zyra e Punës u kërkua një databazë e studentëve të diplomuar dhe kjo me qëllim që t’u ofrojë atyre mundësi të ndryshme në kuadër të programeve për nxitjen e punësimit, të përkohshme apo afatgjata, duke ndikuar realisht në krijimin e vendeve të reja të punës për ta. Edhe World Vision nga ana tjetër ofroi një mundësi shumë të mirë për studentët, për aftësimin e tyre me njohuri mbi hartimin dhe menxhimin e projekteve të ndryshme.