Në datën 29 tetor 2026, Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane u bë vendi i një takimi të veçantë, ku shkenca, kujdesi human dhe mbështetja sociale u bashkuan rreth një tryeze diskutimi. Seminari shkencor me temë “Përtej diagnozës: Ndërthurja e kujdesit mjekësor, mbështetjes sociale dhe politikave shëndetësore në luftën kundër kancerit të gjirit” bëri bashkë staf akademik, studentë të Shkencave Sociale dhe të Infermierisë, ekspertë e specialistë, përfaqësues të kujdesit paliativ, të Drejtorive te Kujdesit Social nga disa bashki të Qarkut Korçë, si dhe të Shëndetit Publik dhe Shëndetit Mendor, duke paraqitur risitë kërkimore ndërdisiplinore mbi kancerin e gjirit.
Takimin e hapi përgjegjësja e departamenit të Shkencave Sociale, dr. Suela Dinellari (Ibraimllari), e cila falënderoi të pranishmit në takim, duke përcjellë njëkohësisht edhe fjalën përshëndetëse të rektorit të Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi.
Gjithashtu, punimet e këtij seminari i përshëndetën edhe përgjegjësja e departamentit të Infermierisë, dr. Elda Nuni dhe drejtuesja e Shërbimeve në Qendrën e Kujdesit Paliativ “Mery Potter” në Korçë, mjekja hematologe Gerla Petro (Koleci).
Fokusi i sesionit të parë ishte diagnostikimi, trajtimi, inteligjenca artificiale dhe mjekësia e personalizuar. Dr. Zhinzela Qyli prezantoi temën “Nga diagnoza histologjike tek profili molekular: A po personalizohet diagnostikimi i kancerit të gjirit?”, ndërsa dr. Ervis Agastra foli mbi zbulimin e hershëm dhe sfidat e trajtimit të kancerit të gjirit.
Sesioni i dytë u përqendrua në politikat publike, qasja ligjore ndaj shërbimeve të kujdesit social dhe shëndeti mendor. Dr. Suela Dinellari (Ibraimllari) paraqiti analizën “Drejtësia sociale dhe politikat publike ndaj grave me kancer në fazë terminale: Një analizë e legjislacionit e politikave sociale në Shqipëri dhe modeleve evropiane në perspektivën Rawlsi-ane”. Më pas, msc. Elisaveta Dino (psikologe) trajtoi temën “Tetori Rozë: Përballja me diagnozën, ndikimi psikologjik dhe trauma emocionale”, duke sjellë një vështrim të ndjeshëm mbi anën emocionale të sëmundjes.
Seminari vijoi me një diskutim të hapur mes studentëve, lektorëve, ekspertëve e specialistëve të ftuar, nën titullin “Drejt një kujdesi integrues”. Fokusi ishte bashkëpunimi i sistemit spitalor (infermierët dhe mjekët) me sistemin mbështetës (psikologët, punonjësit socialë, asistentët e shërbimeve sociale, administratorët e politikave sociale në nivel vendor e qendror) për të ofruar një trajtim holistik, për trupin dhe për shpirtin.
Seminari i mbylli punimet me konkluzione që theksuan se një kujdes i vërtetë lind kur mjekësia, infermieria, psikologjia dhe politikat sociale ecin krah për krah. Ky takim, i zhvilluar në kuadër të Tetorit Rozë, ishte një kujtesë se çdo grua që përballet me kancerin e gjirit ka nevojë jo vetëm për trajtim, por edhe për dëgjim, mbështetje dhe dinjitet.

















