U PREZANTUA PROJEKTI KËRKIMOR “RRJETËZIMI I STUDIMEVE KADAREANE NË HAPËSIRËN EVROPIANE TË KËRKIMIT”, I FINANCUAR NGA AGJENCIA KOMBËTARE E KËRKIMIT SHKENCOR DHE INOVACIONIT NË KUADËR TË PKKZH 2026

Në datën 1 tetor 2026 në mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë u zhvillua takimi hapës i projektit kërkimor “Rrjetëzimi i studimeve kadareane në Hapësirën Evropiane të Kërkimit”, një nismë e financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) në kuadër të Projekteve Kombëtare të Kërkimit dhe Zhvillimit (PKKZH) 2026.

I drejtuar nga prof. as. dr. Eris Rusi, projekti synon ta vendosë studimin e veprës së Ismail Kadaresë në një dialog më të gjerë me kërkimin bashkëkohor evropian, duke ndërtuar një qasje të integruar dhe të strukturuar ndaj prozës së tij. Në thelb të kësaj nisme qëndron rrjetëzimi i dijes: lidhja e kërkimit shqiptar me hapësirat akademike evropiane, shkëmbimi i ideve dhe metodologjive bashkëkohore, si dhe krijimi i mundësive të reja për bashkëpunim shkencor.

Në fjalën e tij rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi tha se ky projekt është në vetvete një veprimtari kërkimore që vendos një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare në një kontekst më të gjerë: në hapësirën evropiane të kërkimit, të bashkëpunimit akademik dhe të shkëmbimit të dijes. “Vepra e tij ka krijuar prej dekadash një hapësirë të gjerë interpretimi, duke tërhequr vëmendjen e studiuesve shqiptarë dhe të huaj, të fushave të letërsisë, gjuhësisë, historisë, kulturës dhe studimeve krahasuese. Projekti parashikon publikimin e tre artikujve shkencorë në revista të indeksuara në Scopus, me fokus narratologjinë, ndërtekstualitetin evropian dhe funksionin e alegorisë politike në veprën e Kadaresë. Një tjetër rezultat i rëndësishëm do të jetë krijimi i një databaze digjitale të studimeve kadareane, e cila do të sistematizojë literaturën dhe kërkimin shkencor të zhvilluar në Shqipëri dhe jashtë saj”.

Vlerësime për këtë projekt dhanë edhe zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, dr. Alma Karasaliu dhe dekani i FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho, të cilat vunë në dukje se ky projekt do të lërë gjurmë të rëndësishme si në kurrikulën mësimore, ashtu edhe në procesin e kërkimit shkencor në UNIKO.

Projekti realizohet në partneritet me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit dhe Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, duke sjellë së bashku ekspertizë akademike dhe perspektiva të ndryshme mbi studimet kadareane.

Një ndër synimet kryesore është përfundimi dhe botimi i monografisë dyvëllimëshe “MAGNUM OPUS”, si dhe publikimi i artikujve shkencorë në revista të indeksuara në Scopus dhe organizimi i një konference shkencore mbarëkombëtare mbi veprën e Kadaresë. Projekti parashikon gjithashtu përfshirjen aktive të stafit akademik dhe studentëve në procesin kërkimor.

Postimi i Mëparshëm
Ftojmë studentët, studiuesit, stafet akademike, si dhe kërkuesit shkencorë të kontribuojnë me punimet e tyre në numrat vijues të revistës Buletini Shkencor i Universitetit “Fan S. Noli”
Postimi Pasues
UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” ZHVILLOI CEREMONINË E ÇELJES SË VITIT AKADEMIK 2026–2026