Në datën 28 shkurt 2025, përfaqësues të Fakultetit të Bujqësisë, Universiteti “Fan S. Noli” morën pjesë në takimin e organizuar në kuadër të projektit ILOFORDIGITAL në Molise, Itali.
Takimi u organizua nga Sviluppo Italia Molise S.p.A. dhe kishte si qëllim fuqizimin e zyrave të lidhjes industriale (ILO) dhe krijimin e një rrjeti ndërkufitar për aftësi dixhitale, sipërmarrëse dhe profesionale.
Gjatë takimit pedagogët e UNIKO, dr. Aldona Minga dhe dr. Dorjan Marku patën mundësinë të zhvillonin takime interaktive me kompani të rëndësishme, si: Sensor ID S.r.l. dhe Pringraf S.r.l., vizita në laboratorë dhe impiante industriale, si dhe një sesion në Molise Contamination Lab mbi inovacionin dhe sipërmarrjen.
Si rezultat i këtij takimi, u krijuan kontakte të reja me industrinë, u identifikuan praktika të mira për zhvillimin e aftësive dixhitale dhe sipërmarrëse dhe u vendosën hapa konkretë për të forcuar bashkëpunimin mes universiteteve dhe sektorit privat.
Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës mbetet i angazhuar në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.