21 SHKURTI – DITA NDËRKOMBËTARE E GJUHËS AMTARE DHE SFIDAT QË PO KALON SOT GJUHA SHQIPE

Në kuadër të 21 Shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, departamenti  i Gjuhës dhe i Letërsisë, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin “Fan S. Noli”, organizoi një tryezë diskutimi me mësues të gjuhës shqipe, studentë të filologjisë dhe pedagogë të gjuhës dhe të letërsisë për të përkujtuar ditën më të rëndësishme të gjuhës amtare, që nënkupton rëndësinë e saj si pjesa më e qenësishme e identitetit të një kombi. Tema etakimit ishte “Sfidat e gjuhës amtare në gjendjen e sotme”.

Folësit e kësaj tryeze, prof. dr. Ali Jashari dhe dr. Olger Brame u përqëndruan në gjendjen e gjuhës shqipe në ditët e sotme dhe çfarë duhet bërë ndryshe për ta pasuruar më tej atë. Nga  të pranishmit, u sollën në vëmendje problemet që hasen më shpesh dhe konsiderohen si sfida për gjuhën shqipe, si ndikimi i fuqishëm i teknologjisë në cenimin e gjuhës, integrimi i fjalëve të huaja,  përkthimet e dobëta, trysnia e globalizmit në gjuhë etj. Tema bosht e diskutimit u  lidh edhe me një aspekt shumë të rëndësishëm, siç është lidhja, ruajtja dhe pasurimi e zhvillimi i gjuhës përmes fjalorëve, duke e ilustruar këtë me punën e bërë me Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, ku dy pedagogët në fjalë janë edhe bashkëhartues e redaktorë në këtë fjalor, i cili konsiderohet si një prej veprave më madhore leksikografike, që pasqyron, ruan dhe hedh në përdorim pasurinë më të madhe leksikore, frazeologjike e semantike të shqipes së sotme.

Më herët, në Universitetin “Fan S. Noli” ishin të pranishëm edhe një grup nxënësish të shkollës 9-vjeçare “Islam Ibi”, Çërrave, të cilët zhvilluan një bisedë me prof. dr. Ali Jasharin. Ata i  drejtuan atij pyetje të ndryshme në lidhje me komunikimin dhe përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe, mesazhet që përcjell kjo ditë e deri te misioni i rëndësishëm i ruajtjes dhe forcimit të gjuhës shqipe si një detyrë dhe përgjegjësi e gjithësecilit prej nesh. Nxënësit e zhvilluan këtë takim edhe në kuadër të konkursit kombëtar të Gjuhës Shqipe për klasat e 9-ta.

 

 

Previous Post
REZULTATET E STUDIMIT PËR BURIMET TERMALE TË SARANDOPORIT DHE LIQENIN AKULLNAJOR TË GRAMOZIT U PREZANTUAN NË KUADRËTË PROJEKTIT “BURIMET UJORE NË RAJONIN E KORÇËS: VLERAT MJEDISORE, TURISTIKE DHE SHËNDETËSORE”