Në datat 18-22 nëntor, në Universitetin e Prishtinës u zhvillua mobiliteti i dytë në kuadër të projektit dypalësh “Mirëqenia emocionale dhe sociale e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri dhe Kosovë”, i financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT).
Takimi bëri bashkë departamentin e Shkencave Sociale të Universitetit “Fan S. Noli” dhe departamentin e Psikologjisë, Universitetit i Prishtinës për një bashkëpunim të thelluar në realizimin e objektivave të përbashkëta të projektit.
Fokusi i takimit ishte dakordësimi dhe adaptimi i metodologjisë, duke krijuar një qasje të unifikuar për studimin e ndërmarrë. Përcaktimi i strategjive kryesore për zbatimin e projektit studimor, ndërtimin e instrumenteve të hulumtimit dhe hartimi i kampionit përfaqësues, duke garantuar një bazë të fortë për fazat e ardhshme të studimit ishin çështjet kryesore në të cilat u përqëndrua diskutimi.
Ky mobilitet shënoi një hap të rëndësishëm edhe në forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit midis dy departamenteve, si dhe për përgatitjen e zbatimin efektiv të këtij projekti ambicioz.
Angazhimi dhe përkushtimi i pjesëmarrësve tregoi për rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe ndikimin që ky projekt synon të ketë në komunitetet tona.