URIMET MË TË MIRA, PËRGËZIME PËR REZULTATET E ARRITURA DHE SHUMË EMOCIONE SHOQËRUAN DITËN AKADEMIKE 2024 NË UNIVERSITETIN ‘FAN S. NOLI”

Në datën 11 nëntor 2024 në Universitetin “Fan S. Noli” u zhvillua ceremonia zyrtare e diplomimit të studentëve, “Dita Akademike 2024”.

Në vitin akademik 2023-2024 u diplomuan 779 studentë, të cilët përfunduam studimet në të gjitha programet e studimit.

Gjatë ceremonsë u nderua me “Medalje të Artë” 1 student, 15 studentë u vlerësuan si “Studentë të Shkëlqyer” dhe me rezultate të larta, si dhe mbi 150 studentë të tjerë shënuan emrat e tyre në Librin e Nderit të Universitetit.

Rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, ndërsa shprehu urimet më të përzemërta për studentët diplomantë, tha: “Kjo ditë përfaqëson vite pune të palodhura, këmbënguljeje dhe përkushtimi. Është një festë e arritjeve tuaja, është një fund që njëkohësisht shënon fillimin e një udhëtimi të ri. Sot, ju merrni një dokument që është shumë më tepër se një diplomë. Është një dëshmi e punës, rritjes që keni përjetuar dhe aftësive profesionale dhe shkencore që keni fituar këtu, në Universitetin “Fan S. Noli”. Është një njohje e kompetencave që keni zhvilluar dhe vendosmërisë që ju ka sjellë deri këtu. Lëreni këtë arritje t’ju kujtojë se çfarë jeni në gjendje të bëni dhe të shërbejë si themeli i një fazë të re të karrierës suaj: një fazë ku do të dëshmoni aftësitë tuaja, do të ndiqni pasionet, si edhe do të kontribuoni në mënyrën tuaj unike në bashkëpunim me të tjerë, sepse suksesi nuk arrihet i izoluar. Udhëtimi juaj do të pasurohet nga ndërveprimi, shkëmbimi i njohurive dhe bashkëpunimi. Këta elementë do të jenë thelbësorë, ndërsa punoni së bashku me të tjerët, ndani idetë tuaja dhe mësoni nga këndvështrime të ndryshme. Përqafoni mundësitë për t’u lidhur me ata që ju rrethojnë. Rruga përpara do të jetë e mbushur me sfida, por edhe e pasur me mundësi. Jam i bindur se do ta bëni këtë rrugëtim me të njëjtin përkushtim si ai që ju solli këtu sot. Të dashur studentë të diplomuar! Më lejoni që të falënderoj çdo pedagog, efektiv dhe të ftuar, që ka kontribuar në formimin tuaj profesional dhe shkencor, strukturat drejtuese administrative të universitetit dhe fakulteteve tuaja, si dhe çdo punonjës ndihmës akademik dhe administrativ për angazhimin dhe përkushtimin në punën e tyre. Vlerësim dhe falënderime për të gjitha institucionet publike të rajonit, bizneset, organizata dhe individë, bashkëpunimi me të cilët është i domosdoshëm nga njëra anë për t’iu ofruar studentëve mësim në praktikë dhe nga ana tjetër për zhvillimin e universitetit në përputhje me prioritet e komunitetit dhe në shërbim të tij.

Respekt dhe mirënjohje të thellë dëshiroj të shpreh për prindërit tuaj, të cilët na e besuan ne arsimimin e fëmijëve të tyre dhe për të gjithë ata që ju kanë mbështetur në çdo hap gjatë këtyre viteve që keni qenë mes nesh”.

Në këtë ceremoni u përcollën urimet më të mira për të gjithë studentët diplomantë edhe nga përfaqësues të pushteti lokal, kryetari i Këshillit të Qarkut, Korçë, z. Erion Nexhipi; prefekti i Qarkut, Korçë, z. Nertil Jole dhe kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, si dhe Alumni i Universitetit dhe studentë.

       

Previous Post
UNIVERSITETI “FAN S, NOLI” FTON PALË INTERESI PËR SHPREHJEN E PROJEKTPROPOZIMEVE PROJEKTI U2SID ERASMUS+ CBHE
Next Post
Shpallet thirrja për aplikime për studentët e interesuar për një periudhë mobiliteti në “University of Macedonia”, Greqi, në kuadër të Programit Erasmus+