Në datën 7 maj 2024 në Universitetin “Fan S. Noli” filloi Akademia Verore “Ballkani në rrënjët e studimeve gjuhësore, letrare, historike dhe etnografike” i organizuar nga Universiteti “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Universitetin “St. Cyril and St. Methodius”, Veliko Tarnovo, Universitetin “Aristoteli”, Selanik dhe Institutin “Goethe”, Tiranë.
Në ceremoninë zyrtare të çeljes së Akademisë përshëndetën pjesëmarrësit rektori dhe zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello dhe prof. as. dr. Benita Stavre, si dhe autoritete nga universitetet bashkëorganizatorë.
Punimet e Akademisë vijuan me folësin kryesor të kësaj seance plenare, prof. Maria Todorova, University of Illinois Urbana-Champaign, njëkohësisht “Doctor Honoris Causa” i Universitetit “Fan S. Noli”. Prof. Todorova referoi temën: “Is “the Other” a Useful Cross-cultural Concept? Some Thoughts on Its Implementation to the Balkan Region” (A është “tjetri” një koncept i dobishëm ndërkulturor? Disa mendime mbi zbatimin e tij në rajonin e Ballkanit).
Seanca e parë u mbyll me një veprimtari jashtëkurrikulare, ku pjesëmarrësit e Akademisë vizituan Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar dhe Muzeun Kombëtar të Arsimit, Korçë.
Ndërkohe Akademia po vijon me module të organizuara në mjedise të ndryshme në Universitet, në institucione e zona të ndryshme të rajonit të Korçës, ku studentët kanë marë pjesë në ligjërime me tema të ndryshme. Njëkohësisht ata janë njohur edhe me kulturën, historinë, traditat e kulinarinë e zonave të veçanta të rajonit tonë.