Në datën 25 maj 2023 zhvilloi punimet Konferenca Kombëtare Studentore “Roli i gruas në shoqëri dhe sfidat e barazisë gjinore”, një organizim i Universitetit “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, si dhe me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
Në seancë plenare përshëndeti fillimisht zëvendësrektori për Shkencën dhe Marrëdhëniet me Jashtë dr. Benita Stavre, e cila në emër të Rektoratit falënderoi studentët që morën nismën për të thënë fjalën e tyre në këtë konferencë. Ndërsa renditi disa pjesëmarrje të studentëve tanë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, ajo shprehu mirënjohjen për ta dhe në veçanti për 33 studentet dhe 4 studentët autorë të 26 punimeve pjesëmarrëse në këtë konferencë.
Më pas konferencën e përshëndetën edhe: Elena Tona, specialiste e Bibliotekës Shkencore; Ereandra Taipllari, alumni Universiteti “Fan S. Noli”; pedagoget Denisa Titili, Viola Dolani, Anjeza Vila, si dhe studentja Romina Xhaferi, të cilat përcollën mesazhe për barazinë gjinore, figurën e femrës në shoqërinë shqiptare, për gruan midis karrierës dhe familjes, etj. Në përfundim të seancës plenare të pranishmit ndoqën një videomontazh nga gra dhe vajza në karrierë.
Konferenca i vijoi punimet në tre sesione paralele, ku prezantuan punimet e tyre studentët e universiteteve bashkorganizatore.