Në datën 26 tetor 2022 në mjediset e bibliotekës “Kongresi i Manastirit” u prezantua monografia e dr. Benita Stavre “Shqiptarët. Këndvështrime britanike dhe amerikane për Shqipërinë e viteve 1921-1939”. Drejtues të FEF dhe departamentit të Gjuhëve të Huaja, si dhe pedagogët e pranishëm u njohën me vlerësimet e bëra nga tre recensentët: prof. as. dr. Rusana Hristova-Bejleri, prof. dr. Vilma Tafani dhe prof. dr. Gëzim Hadaj.
Në fjalën e saj, dr. Benita Stavre, njëherësh edhe zëvendësrektore për Kërkimin dhe Marrëdhëniet me Jashtë në Universitetin “Fan S. Noli”, u shpreh se nisma për të hartuar këtë monografi erdhi si nevojë e të parit më me objektivitet në historiografinë shqiptare të asaj periudhe nga e cila ka ende mjaft gjera të pahulumtuara. “Qëllimi i këtij punimi shkencor është të sjellim një Shqipëri, e cila i kishte dy anët e medaljes. Edhe e përbaltur, edhe e nëpërkëmbur edhe e anashkaluar, ndoshta edhe e harruar, por në çdo rast e keqkuptuar”.
Të pranishmit përgëzuan dr. Benita Stavren për këtë punim shkencor, por edhe për guximin e ndërmarë në zgjedhjen e temës, e cila vjen e botuar në gjuhën angleze.
Gjithashtu, në takim u theksua se monografia është me interes për studentët vendas dhe të huaj, për shkencëtarët dhe publikun e gjerë.