Në datën 5 tetor 2021 Qendra e Karrierës dhe Alumni e Universitetit “Fan S. Noli” organizoi një ditë informimi me studentët për prezantimin e platformës GRADUA. Specialisti i QKA, z. Romeo Terolli ftoi studentët, pedagogët, si dhe përfaqësuesit e institucioneve dhe bizneseve të ndryshme, të bëhen pjesë aktive e këtij takimi me idetë dhe mendimet e tyre gjatë prezantimit të kësaj platforme. Gjatë takim u dhanë shpjegime për të gjitha hapat që duhen ndjekur gjatë procesit të regjistrimit të studentëve dhe punëdhënësve.
Takimim e përshëndeti edhe zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet, dr. Benita Stavre, e cila u shpreh se UNIKO tashmë e ka hedhur hapin e parë për t`u bërë pjesë e platformës, duke e vlerësuar atë si një urë lidhëse midis studentëve dhe punëdhënësve, me përfitim të dyanshëm.
Në fjalën e tij zëvendësrektori për mësimin në UBT, prof. as. dr. Ilir Kapaj u shpreh se projekti GRADUA do të mbështesë universitetet shqiptare, duke krijuar një model të integruar të të dhënave të të diplomuarve përmes: mbledhjes së të dhënave për performancat e të diplomuarve; lehtësimin e bashkëpunimit midis IAL -ve dhe bizneseve; lehtësimin e vendosjes së të diplomuarve në tregun e punës etj.
Studentët e pranishëm treguan interes në lidhje me regjistrimet dhe mënyrën si funksionon platforma GRADUA, ku disa prej tyre u regjistruan, duke u bërë menjëherë pjesë e platformës.