Në datën 30 tetor 2021 Prefekti i Rajonit të Maqedonisë Perëndimore, z. Giorgios Kasapides shoqëruar edhe nga z. Velissarios M. Papadopulos, Këshilltar personal i zëvendësprefektit, nga Presidenti i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, z. Karataglidis Babis etj. u prit në takim nga zëvendësrektorja për projektet dhe shkencën në Universitetin “Fan S. Noli”, dr. Benita Stavre dhe drejtues të tjerë të UNIKO. Në këtë takim, i cili u iniciua dhe organizua nga HEC Foundation, drejtuar nga znj. Mariela Stefanllari, zëvendësrektorja i falënderoi miqtë nga Maqedonia Perëndimore për vizitën, duke i njohur fillimisht me veprimtarinë që zhvillon UNIKO. Ajo theksoi se kjo vizitë i krijon Universitetit “Fan S. Noli” mundësinë për të ndërkombëtarizuar ofertën e tij akademike, si dhe për të krijuar një bashkëpunim të drejtpërdrejtë të Universitetit tonë me atë të Maqedonisë Perëndimore, një bashkëpunim, i cili ka nisur edhe më herët. Gjithashtu, dr. Benita Stavre nënvizoi në fjalën e saj se konkretizimi i këtij bashkëpunimi do të jetë në mbështetje të stafit akademik, studentëve dhe biznesit të zonës, pasi Universiteti është një institucion që i shërben zhvillimit të rajonit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjatë takimit prefekti Kasapides dhe të pranishmit falënderuan zëvendësrektoren për pritjen, si dhe vlerësuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi. Z. Kasapides tha se bashkëpunimi do të vijojë nën frymën e miqësisë midis dy rajoneve tona fqinje dhe do të fokusohet në ekonomi, mjedis e turizëm.
E pranishme në takim ishte edhe Konsullja e Konsullatës Greke në Korçë, znj. Magdalini Nikolaou, dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. as. dr. Ledina Alolli, dekania e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, prof. as. dr. Sonela Stillo, si dhe pedagogia e departamentit të Edukimit, prof. dr. Irena Nikaj, të cilat gjithashtu prezantuan disa ide konkrete për bashkëpunim me fakultetet që përfaqësojnë.
Në fund të takimit delegacioni nga Rajoni i Maqedonisë Perëndimore vizitoi edhe mjediset e Rektoratit të Universitetit “Fan S. Noli”.