Në datën 14 qershor 2022 në mjediset e Fakultetit të Bujqësisë u zhvillua një tryezë e rrumbullakët me fokus sigurinë ushqimore, e cila u organizua nga departamenti i Agroushqimit në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Sigurinë Ushqimore. Ky takim bëri bashkë drejtues e pedagogë të Universitetit e Fakultetit, përfaqësues të pushtetit lokal, institucioneve, bizneseve të prodhimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore, studentë e të ftuar të tjerë.
Në fjalën e mirëseardhjes dekani i FB, prof. as. dr. Gjergji Mero falënderoi pjesëmarrësit në këtë tryezë, e cila synon të marrë ide dhe mendime, por edhe përgjegjësitë për këtë problem kaq të rëndësishëm e jetik siç është siguria ushqimore. Ai tha se janë pikërisht studentët e këtij departamenti dhe të këtij Fakulteti që kur të mbarojnë studimet do të shkojnë në biznese private apo në institucione kërkimore-shkencore, ku duhet të vënë në zbatim ato njohuri të cilat do t`i çojnë drejt prodhimit dhe tregtimit të prodhimeve të sigurta e të shëndetshme për konsumatorin.
Më tej prof. as. dr. Fehmi Xhemo, nëpërmjet një prezantimi të detajuar solli praktikat më të mirat evropiane sa i takon sigurisë ushqimore dhe se si mund të zbatohen në Shqipëri.
Në fjalën e saj zëvendësrektori për kërkimin dhe shkencën, dr. Benita Stavre u shpreh se siguria ushqimore është një çështje e mprehtë, e cila nuk duhet parë vetëm në nivel akademik apo ndërkombëtar, por edhe në një nivel më të prekshëm në të përditshmen tonë. Ajo tha se Universiteti “Fan S. Noli” dhe konkretisht FB ka laboratorë, të cilët për shërbimet që ofrojnë mund të vihen në dispozicion të nevojave që ka tregu, veçanërisht laboratorët që kanë edhe fokusin e diskutimit të kësaj tryeze të rrumbullakët. Gjithashtu ajo u ndal edhe në intershipet e studentëve, duke theksuar se është koha që institucionet të bashkëpunojnë për ndërgjegjësimin e të rinjve në këtë drejtim, në mënyrë që të zgjohet tek ata dëshira e mirë për të punuar e për të bërë diçka të rëndësishme: “Ka ardhur koha që takime të tilla të finalizohen me plane konkrete pune, të cilat të jenë të prekshme dhe t`iu japin zgjidhje problemeve”.
Mbi rolin dhe ndërgjegjësimin e konsumatorit, këshillimin, kontrollin dhe monitorimin e produkteve nga prodhimi e deri në tregtim etj. folën më pas përfaqësues të institucioneve si: AKU, QTTB, AREB dhe të bizneseve prodhuese e tregtuese. Prefekti i Korçës, z. Nertil Jole e kryetarja e Këshillit të Qarkut znj. Ana Verushi u treguan të gatshëm për të ofruar mbështetjen e institucioneve që ata drejtojnë për bashkëpunime konkrete në të ardhmen.