Në datën 10 qershor 2022 u zhvillua Konferenca I Ndërkombëtare “Linguistic Perspectives in the Light of Social Developments – E-Learning Approaches to Linguistic Acquisition” e organizuar nga Universiteti “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës; Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë; Faculty of Philology of North University Center, Baia Mare, Technical University of Cluj, Romania; Faculty of Philology, University of Tetova, Northern Macedonia; Faculty of Philology, “Ovidius” University of Constanta, Romania; Fakulteti i Medias dhe Komunikimit, Universiteti për Biznes dhe Teknologji, Prishtinë; Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër; Faculty of Education, University “St. Kliment Ohridski”, Bitola, Macedonia.
Punimet e kësaj konference i hapi zëvendësrektori për shkencën dhe projektet në Universitetin “Fan S. Noli”, dr. Benita Stavre. Ajo tha se kjo konferencë erdhi si rrjedhojë edhe e diskutimeve me universitete të tjera në lidhje me mësimdhënien e gjuhëve të huaja dhe sfidat që pandemia Covid-19 i solli kësaj forme të konceptuari. “Në këtë konferencë marrin pjesë me punime 66 autorë, të cilët sjellin përvojën e tyre të mësimdhënies online në këto programe në mënyrë që konferenca të dalë me një propozim për vendimmarrje, në mënyrë që programet e mësimdhënies së gjuhëve të huaja, si në arsimin universitar dhe në atë parauniversitar, të rikonceptohen duke pasur parasysh edhe mësmidhënien online”.
Punimet e konferencës i përshëndeti më pas dekani i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho: “Tema e kësaj konference është rrahur shpesh nëpër tryeza të rrubullakëta, sesione shkencore brenda universitetit tonë dhe sot finalizohet me ketë konferencë prestigjoze, ku punimet cilësore të kolegëve tanë dhe të atyre të universiteteve të tjera do të sjellin prurje tepër interesante që do të na ndihmojnë të gjithëve ne në procesin e mësimdhënies, por edhe të kërkimit shkencor”. Në përshëndetjen e tij dekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Tetovës, prof. dr. Berton Sulejmani përgëzoi Universitetin “Fan S. Noli” për nismën e këtij organizimi dhe vlerësoi rëndësinë që kanë tubime të tilla, të cilat bashkojnë forcat për rezultate më efikase në kërkimet e përbashkëta.
Punime të mbara i uroi kësaj konference edhe përgjegjësi i departamentit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin “Fan S. Noli”, phd. Daniela Stoica.
Seanca plenare vijoi me fjalën kryesore mbajtur nga prof. dr. Esmeralda Kromidha: “The Enhancement Of The Application Of Ict In The Function Of Foreign Language Teaching And Training Of Future Teachers: The Case Of The Faculty Of Foreign Languages”.
Pas seancës plenare konferenca i vijoi punimet në sesione paralele të alternuara me prezencë fizike dhe online, ku u trajtuan tema të tilla si: “Virtual Learning challenges during and Post pandemics Covid- 19”; “Teaching and learning foreign languages in a virtual context” etj.
Në fund të saj, për të pranishmit u shpërndanë edhe certifikata pjesëmarrjeje.