“TË NJOHIM TË DREJTAT TONA”-STUDENTËT E DEPARTAMENTIT TE SHKENCAVE SOCIALE VEPRIMTARI NDËRGJEGJËSUESE NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË TË DREJTAVE TË FËMIJËV

Në datën 20 nëntor 2024 në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Departamenti i Shkencave Sociale me studentët e programit të studimit “Administrim dhe Politika Sociale”, viti II, organizuan veprimtarinë me temë: “Të njohim të drejtat tona”, duke sjellë në vëmendje nevojën për specialistët që formohen në fushën e administrimit të politikave sociale, si dhe domosdoshmërinë e ndërveprimit institucional për të ofruar shërbime cilësore për rajonin në lidhje me edukimin, ndërgjegjësimin, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të përfshirjes dhe angazhimit të studentëve në modulin “Bazat e shërbimeve sociale”, ku ata njihen me rëndësinë e shërbimeve që do të ofrojnë nesër si specialiste të fushës në institucionet vendore dhe ato qëndrore për kategori të ndryshme shoqërore, përfshirë edhe fëmijët.
Gjatë veprimtarisë së zhvilluar me vogëlushët e një prej kopshteve të qytetit të Korçës, studentët vlerësuan faktin se njohja dhe edukimi për të drejtat nga fëmijët është një faktor kyç për parandalimin e shumë dukurive negative, të cilat mund të ndodhin në shoqërinë tonë.
E konceptuar në formën e lojërave edukative, veprimtaria u krijoi mundësinë vogëlushëve të shprehnin mendimet dhe ndjenjat e tyre, duke treguar se si e perceptojnë ata drejtësinë, barazinë dhe të drejtat që u përkasin. Kjo i ndihmoi të kuptojnë se çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë në një mjedis të sigurt dhe të dashur.
Në përfundim, studentët ndanë përvojat e tyre, duke reflektuar mbi ndikimin që kanë specialistët e fushave të administrimit të politikave sociale në institucione dhe ndërveprimi i tyre në parandalimin e fenomeneve si dhuna, ngacmimet, diskriminimi dhe bullizimi. Ata theksuan se veprimtari të tilla i pajisin me kompetenca dhe njohuri në fushat e tyre të studimit për të ndërtuar specialistë të suksesshëm dhe të dobishëm që kontribuojnë në rajon për një shoqëri më të informuar, më të sigurt dhe më të përgjegjshme.
Previous Post
“DIMENSIONET E KANTIZMIT DHE SHOQËRIA POSTMODERNE”-VEPRIMTARI NË KUADËR TË DITËS NDËRKOMBËTARE TË FILOZOFISË
Next Post
NJOFTIM PËR VEND TË LIRË PUNE NË DREJTORINË RAJONALE TË AGJENCISË KOMBËTARE TË PUNËSIMIT DHE AFTËSIVE, KORÇË