Nga data 3-7 nëntor 2025 studentët e departamentit të Shkencave Sociale të programit të studimit “Shërbim Social” morën pjesë në një veprimtari praktike mbi organizimin e punës në komunitetit të zhvilluar nga ekspertët gjermanë Arianna Bourke; Andreas e Agnes Wolff nga teampower BTC në bashkëpunim me FSHNH.
Ky program kishte si qëllim kryesor fuqizimin e studentëve si aktorë aktivë në komunitetin e tyre, duke i pajisur ata me metoda konkrete për identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve shoqërore.
Gjatë takimit studentët treguan interes për temën, duke u fokusuar në dy drejtime.
- Kuptimi i metodave demokratike të punës me komunitetin,
- Aplikimi praktik i këtyre metodave në situata reale në qytetin e Korçës.
Sipas pedagoges dr. Maria Dojçe, e cila ishte pjesë e këtij organizimi, programi u zhvillua në disa module.
Njohja me konceptin Community Organizing, ku studentët kuptuan që ndryshimi shoqëror nuk vjen nga individë të izoluar, por nga mobilizimi kolektiv.
Identifikimi i problemeve konkrete në komunitet, duke analizuar këto probleme, cilat janë palët e përfshira dhe si mund të ndërtohet një qëllim i përbashkët.
Kjo fazë u vlerësua shumë nga studentët sepse lidhej drejtpërdrejt me realitetin e Korçës dhe përvojat e tyre personale.
Gjatë trajnimit u zhvillua biseda aktivizuese (metodë bazë e organizimit të komunitetit), e cila rrit vetëbesimin dhe aftësitë e komunikimit të studentëve në situata profesionale.
Praktika në terren, ku studentët testuan dy biseda të vërteta me persona të komunitetit dhe reflektuan mbi rezultatet.
Takimi final mbi temën “Ëndrra ime profesionale”, ishte ajo që i ndihmoi më tepër studentët të lidhin këtë metodologji me orientimin e tyre të ardhshëm profesional.
Pas programit studentët u shprehën se prej tij fituan njohuri teorike, si dhe aftësi të zbatueshme menjëherë në praktikë.







