REKTORI PRITI NË NJË TAKIM STUDENTËT PJESËMARRËS NË OLIMPIADËN XIX TË MATEMATIKËS PËR STUDENTËT E EVROPËS JUGLINDORE QË DO TË ZHVILLOHET NË “UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” NGA DATA 4-9 MARS 2025

Në datën 25 shkurt 2025, rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi priti në takim studentët pjesëmarrës në Olimpiadën XIX të Matematikës për Studentët e Universiteteve të Evropës Juglindoreqë do të zhvillohet në Universitetin “Fan S. Noli” nga data 4-9 mars 2025.

Ai përgëzoi studentët Redi Yzellari, Edona Kalludra, Ester Koço, Ledjona Dalo, Irina Bicka dhe Klaudia Koleci për përpjekjet e tyre dhe theksoi rëndësinë që ka përkushtimi dhe puna në arritjen e suksesit akademik dhe profesional.

Rektori vlerësoi të dy programet e studimit nga vijnë këta studentë, që janë programi i ri i përbashkët me Universitetin Politeknik të Tiranës “Inxhinieri Informatike” dhe programi i UNIKO, “Matematikë-Informatikë”, duke i inkurajuar të vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe pasion: “E rëndësishme nuk është vetëm fitorja, por edhe guximi për të marrë pjesë dhe për të provuar aftësitë tuaja,” – theksoi ai

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, prof. as. dr. Rafail Prodani u theksua se pjesëmarrja në veprimtari të tilla është një mundësi e vyer për zhvillimin e aftësive analitike, logjike dhe krijuese, të cilat janë thelbësore në fushën e matematikës dhe jo vetëm.

Nga ana e tyre, studentët falënderuan Universitetin për mundësitë që u krijon, si në aspektin akademik, ashtu edhe për “hapjen e dyerve” ndaj përvojave të reja. Ata shprehën vlerësimin e tyre për mbështetjen që kanë marrë dhe e konsideruan këtë pjesëmarrje një hap të rëndësishëm në formimin e tyre profesional dhe personal.

 

Previous Post
Hapet thirrja për botim të artikujve shkencorë në Buletinin Shkencor, botim i indeksuar i Universitetit “Fan S. Noli”, për vitin 2025 (Seria e Shkencave Shoqërore dhe Seria e Shkencave të Zbatuara).
Next Post
PROJEKTI ERASMUS+, U2SID ZHVILLOI NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” KONFERENCËN PËRMBYLLËSE TË DY VITEVE PUNË PËR TË NXITUR TRANSFORMIMIN DIXHITAL GJITHËPËRFSHIRËS NË ARSIMIN E LARTË NË BALLKANIN PERËNDIMOR.