13 dhjetor 2024- Në kuadër të projektit “Burimet ujore në Rajonin e Korçës: vlerat mjedisore, turistike dhe shëndetësore” i financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe i zbatuar nga Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë në partneritet me shoqatën alpino – turistike “Korça Alpin” u përmbyll faza e mbledhjes së të dhënave në terren, si; kampionet e ujit, pyetësorët me komunitetin, intervistat me ekspertët, përshkrimin e vlerave mjedisore dhe turistike.
Këto u bënë të ditura në një takim, ku u diskutua për zhvillimin e ekspeditave studimore gjatë periudhës shtator – nëntor 2024 në burimet ujore dhe hidromonumentet e Ujërave termale të Sarandaporit (Leskovik/ Kolonjë); Liqenit akullnajor të Gramozit (Kolonjë); Burimi i Devollit (Nikolicë dhe Sinicë/ Devoll); Burimi i Osumit (Vithkuq/Korçë); Prespa e Vogël dhe Prespa e Madhe (Devoll/Pustec); Liqenet akullnajore të Valamarës (Gorë/Maliq); Liqeni i Ohrit dhe Burimi i Drilonit (Pogradec /Tushemisht); Liqenet akullnajore të Lukovës (Mokër/Pogradec).
Grupi i punës i përbërw nga pedagogë, studentë dhe ekspertë të fushave përkatëse përfaqësues nga të katërt departamentet, tashmë do të fillojë fazën e përpunimit, analizës dhe prezantimit të të dhënave.
Po në kuadër të këtij projekti është parashikuar që në përiudhën janar-mars 2025 të zhvillohen takime (workshope) prezantuese për gjashtë bashkitë e qarkut të Korçës.
Ky projekt kërkimor ka gjetur mbështjetje e bashkëpunim nga Këshilli i Qarkut Korçë, Prefektura Korçë, bashkitë e Korçës, Kolonjës, Pustec-it, Devoll-it, Pogradec-it, Maliq-it dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë.