Në datën 3 korrik 2025 në Fakultetin e Ekonomisë u përurua Laboratori për Kërkimin Shkencor. Ky laborator u ngrit në kuadër të projektit “Potenciali prodhues në rajon, rritja e kapaciteteve dhe standardit të prodhimit në funksion të prespektivës së zhvillimit rajonal”, të financuar me fondet e Universitetit “Fan S. Noli”.
Në takim morën pjesë drejtues të UNIKO, staf akademik dhe studentë të FE.
Koordinatorët e projektit, prof. as. dr. Eleni Vangjeli dhe dr. Emil Frashëri i njohën të pranishmit me mundësitë që ofron ky laborator për përpunimin e të dhënave statistikore nëpërmjet programeve të avancuara software si SPSS 26, EViews 13 dhe MPlus.
Ky laborator do të jetë në mbështetje të stafit akademik dhe studentëve për analiza të thelluara dhe kërkime shkencore për projekte, tema diplomash e studime të ndryshme.
Takimin e përshëndetën edhe prof. as. dr. Ledina Alolli, dekane e FE dhe rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi. Ata përgëzuan stafin akademik për bashkëpunimin e vazhdueshëm, ndërsa theksuan rëndësinë e këtij laboratori jo vetëm në mbështetje të stafit e studentëve, por edhe të institucioneve, bizneseve, studiuesve e kërkuesve të rajonit tonë.
Në takim, pasi u prezantuan rezultatet përmbyllëse të këtij projekti, u diskutuan edhe arritjet e deritanishme të 2 projekteve të tjera, të cilat janë duke u zbatuar nga departamenti Financë-Kontabilitet dhe departamenti Menaxhim.
Projektet janë: “Mundësia e punësimit në tregun banker dhe jobankar në rajonin e Korçës të studentëve të diplomuar në FE. Forcimi i bashkëpunimit me tregun e punës në funksion të përmirësimit të kurrikulave dhe rritjes së kompetencave të studentëve” dhe “Vlerësimi i aftësive digjitale të studentëve të UNIKO, si domosdoshmëri në përballimin efektiv të sfidave në epokën e transformimeve digjitale”.
Laboratori u inagurua me prezantimet e temave të diplomave të studentëve të programit Master i Shkencave në “Financë”.