“BULETINI SHKENCOR” ISSN: 3080-0447
BOTIM I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”
SERIA E SHKENCAVE SHOQËRORE DHE
SERIA E SHKENCAVE TË ZBATUARA
(2025)
ARTICLES
PRAKTIKA PROFESIONALE NË FAKULTETIN E EKONOMISË, NJË ELEMENT I RËNDËSISHËM QË LIDH STUDENTËT ME TREGUN E PUNËS
Mirela Cini1, Matia Çuçllari2, Frederik Çuçllari3, Aida Gabeta4, Landi Gushi5
Fjalët kyçe: praktika profesionale; aftësi; kompetenca; studentët; punëdhënësit.
Praktikat profesionale ofrohen si një komponent akademik i të mësuarit nga Institucionet e Arsimit të Lartë, si një mjet efikas që u jep studentëve mundësinë e kombinimit të mësimit në auditor me përvojat e botës reale. Është një sfidë e vazhdueshme për Institucionet e Arsimit të Lartë që të hartojnë kurrikulat e tyre në mënyrë të tillë që të vendosin një ekuilibër midis njohurive teorike në auditor dhe aftësive praktike gjithnjë në ndryshim, si dhe aftësive “të buta“ që studentët të jenë realisht në gjendje të zbatojnë atë që ata mësojnë. Ky punim synon të nxjerrë në pah përfitimet dhe sfidat me të cilat përballen studentët gjatë praktikës së tyre. Të dhënat e kufizuara në lidhje me tiparet specifike të projektimit të praktikave dhe ndoshta më e rëndësishmja, përvojat e studentëve, e bëjnë sfidues vlerësimin dhe përmirësimin e përvojës së praktikës. Pavarësisht nga interesi në rritje, ende dihet pak se si dhe çfarë mësojnë studentët gjatë praktikës, dhe sesi mësimi i tyre çon në përmirësime të aftësive dhe kompetencave që i bëjnë të mundura këto përfitime. Duke eksploruar pyetje të tilla, ne besojmë se Universiteti mund të ndihmojë që studentët të jenë të përgatitur mirë për praktikat e tyre dhe tregun e punës, dhe që mundësitë të jenë gjithëpërfshirëse dhe të lehtësojnë suksesin e studentëve.
FEJA DHE SHOQËRIA NË FILOZOFINË E AVICENAS
Ledian CIKALLESHI
Fjalët kyçe: Avicena, feja, Profeti, filozofia, shoqëria, morali
Ebu Ali el-Husejn ibn Abd Allah Ibn Sina, i njohur ndryshe si Avicena (970-
1037) ishte filozofi dhe mjeku i shkëlqyer i botës islame. Ai mbisundoi jetën
intelektuale në botën islame për shekuj me radhë dhe gjithfarë reagimesh
ndaj tij, që ndryshojnë nga pranimi deri te rishikimi apo mohimi dhe
zëvendësimi me konstruktet para-filozofike, përcaktuan zhvillimet në filozofi,
shkencë, religjion, teologji dhe misticizëm. Shkrimet e Avicenës përbëhen
kryesisht nga përmbledhje gjithëpërfshirëse filozofike, duke mbuluar krejt
degët e shkencave dhe logjikën si mjeti i tyre parapërgatitës, por edhe
shkrime të shkurtra mbi tematika të përzgjedhura. Ndikimi i tij ishte i madh
në Lindje dhe në Perëndim. Në Lindje ndikoi rrenjësisht dhe drejtpërdrejt në
mendim, filozofi dhe në shkencën islame, ndërsa në Perëndim, kryesisht në
mjekësi dhe shkencë, por tërthorazi edhe në filozofinë e Rilindjes. Për shkak
të ndikimit të tij është me shumë interes dhe rëndësi të njihen pikëpamjet e
tij filozofike, sidomos ato për fenë dhe shoqërinë.
Ibn Sina (Avicena) e pranon fenë, profetësinë, ringjalljen pas vdekjes,
por në çështje të caktuara bën interpretime racionaliste, prej të cilave mori
edhe kritika të mëdha nga Gazaliu. Por, ai nuk e vë në diskutim vërtetësinë
dhe rolin e fesë në shoqëri. Kjo pasi feja shihet si burimi i moralit për
shoqërinë. Megjithëse ai nuk ka shkruar vepra specifike për të trajtuar fenë,
rolin e fesë në shoqëri dhe për çështje të filozofisë politike, siç bëri
paraardhësi i tij Al-Farabi, ai këto i trajton si pjesë të metafizikës dhe
raportit të tyre me metafizikën. Ky do të jetë pikërisht edhe fokusi i kërkimit
tonë, i cili do të nxjerrë në pah pikëpamjet filozofike të Avicenës për fenë
dhe shoqërinë. Nxjerrja në pah e mendimeve të tij filozofike mbi fenë dhe
shoqërinë do të na ndihmojë gjithashtu të kuptojmë më mirë prapavijën dhe
ndikimet e filozofëve të periudhës së Rilindjes dhe më vonë, të cilat i
paraprinë edhe sociologjisë.
TË KUPTOJMË NDIKIMIN E FAKTORËVE SOCIAL-EKONOMIKË DHE KULTURORË TE STUDENTËT E KOMUNITETIT ROM DHE EGJIPTIAN NË ARSIMIN E DETYRUAR: NJË STUDIM RASTI I RAJONIT TË KORÇËS
Evjonda Pylli1, Mariela Burda2
Fjalët kyçe: Komuniteti rom dhe egjiptian, arsim i detyrueshëm, gjithëpërfshirje, braktisje e shkollës.
Ky punim ka për qëllim të identifikojë situatën aktuale të nivelit të arsimimit të nxënësve që i përkasin komunitetit rom dhe atij egjiptian në rajonin e Korçës. Gjithashtu, synon të shqyrtojë dhe analizojë faktorët socialë dhe ekonomikë që ndikojnë në nivelin e ulët arsimor të këtyre nxënësve. Çështje të tilla si: braktisja e shkollës, analfabetizmi funksional, fillimi dhe përfundimi i arsimit të detyrueshëm në moshë të vonë, etj., vijojnë të jenë shqetësime serioze për këto komunitete dhe paraqesin sfida të shumta për integrimin e tyre të plotë në shoqëri. Ashtu si në rajonet e tjera të vendit, edhe në rajonin e Korçës, një nga problemet më të mprehta mbetet frekuentimi jo i rregullt i arsimit të detyrueshëm.
Në këtë kontekst, identifikimi i situatës aktuale dhe analizimi i faktorëve ndikues do të ndihmojë në mbledhjen e të dhënave, interpretimin e tyre, si dhe në formulimin e përfundimeve dhe rekomandimeve konkrete për përmirësimin e politikave arsimore parauniversitare në vend. Gjetjet e këtij studimi mund të shërbejnë si pikënisje për hulumtime të tjera më gjithëpërfshirëse në nivel kombëtar dhe më gjerë.