Buletini Shkencor – Seria e shkencave shoqërore
NR. 36 | 2024

ARTICLES
KULTIVIMI DHE EFEKTIVITETI EKONOMIK I ARONIA MELANOCARPA (ARONIA E ZEZË) NË KUSHTET KLIMATIKO – TOKËSORE TË RAJONIT TË KORÇËS
Avni SPAHOLLI
Ilir NIÇKO
Eneida ÇIFLIGU
Buletini Shkencor 36, 11-22, (2024)
Fjalë kyçe: Studim, prodhim, superushqim, frutikulturë alternative, bujqësi, ushqime funksionale.
Aronia është një nga superushqimet më të kërkuara në Evropë dhe në mbarë
botën. Për shkak të kërkesës së konsumatorit për ushqime funksionale,
kultivimi i aronias po rritet vazhdimisht. Vitet e fundit në vendin tonë është
rritur interesi për aronian, arsyeja janë vetitë unike të frutave të saj, të cilat
janë lëndë e parë e shkëlqyer për përpunim dhe klasifikohen si bimë
mjekësore për përbërjen e tyre kimike. Në vendin tonë dhe në veçanti në
Rajonin e Korçës aronia nuk njihet plotësisht dhe kultivohet në sipërfaqe
shumë të kufizuar. Prova fushore u realizua në fushën e Maliqit me synim që
të jepet një alternativë ndryshe dhe më efektive fermerëve të kësaj zone dhe
më gjerë. Studimi kishte si qëllim të vlerësonte kultivimin e aronias së zezë në
kushtet klimatiko tokësore të rajonit, të vlerësonte efektivitetin ekonomik të
saj krahasuar me kulturat e tjera tradicionale që mbillen në këtë rajon, të
rekomandojë zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me Aronia dhe modalitetet e
tjera që lidhen me prodhimin dhe tregun e saj, bazuar në rezultatet e studimit.
Në studimin fushor të aronias u përdorën fidanë 2 vjeçarë nga kultivari
“Nero”. Rezultatet e studimit treguan se kultura ka një përputhshmëri të plotë
me kushteve klimatiko – tokësore të zonës ku u krye studimi dhe efektiviteti
ekonomik ishte dukshëm më i lartë krahasuar me kultura te tjera.
PRODHIMI BIOLOGJIK I BIMËVE MJEKËSORE-AROMATIKE DHE QËNDRUESHMËRIA E FERMAVE BUJQËSORE
Adrian MAHO
Gjergji MERO
Besnik SKËNDERASI
Sulltane AJÇE
Buletini Shkencor 36, 23-34, (2024)
Fjalë kyçe: bimë mjekësore dhe aromatike, qëndrueshmëri, ekonomi
rrethore, prodhim biologjik, certifikim.
Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike (BMA-ve), është një sektor qe po
rritet shpejt i ndikuar nga zgjerimi i kultivimit te këtyre bimëve. Ai ka një
potencial të madh zhvillimi, gjeneron punësim të qëndrueshëm dhe është
burim ekonomik për shumë familje në zonat rurale të vendit.
Rritja e kërkesës për bimë mjekësore dhe aromatike nga tregu ndërkombëtar,
rrit presionin për të intensifikuar prodhimin, duke rritur rrezikun e mbi
shfrytëzimit të këtyre burimeve natyrore. Prodhuesit e bimë mjekësore dhe
aromatike duhet te fokusohen drejt prodhimit biologjik. Kjo është praktika më
e mirë për të patur një sektor me zhvillim te qëndrueshëm. Literatura mbi
praktikat e qëndrueshme në prodhimin e BMA-ve është e shpërndarë prandaj
nëpërmjet këtij studimi synojmë të sigurojë një përmbledhje të praktikave
bujqësore në këtë sektor. Dalja e rregullores së re të BE mbi prodhimin
biologjik, kërkesat shumë rigoroze nga tregu ndërkombëtar kërkojnë zbatimin
e teknikave të kultivimit dhe tregtimit në përputhje me to. Metoda e studimit
bazohet në analizën SWOT të sektorit, si dhe rekomandon praktikat më të
mira te prodhimit biologjik te bimë mjekësore dhe aromatike. Ekonomia
rrethore konsiderohet si një nga zgjidhjet për të nxitur qëndrueshmërinë, si
24
pasojë e realizimit të praktikave bujqësore në miqësi me mjedisin. Studimi
synon gjithashtu t’i lehtësojë prodhuesit duke iu treguar praktikën e
certifikimit të produkteve bio të bimëve mjekësore dhe aromatike. Ky
hulumtim mund t’i ndihmojë prodhuesit të identifikojnë mundësi të reja
biznesi.
PRANIMI I IA NË TË MËSUARIT E GJUHËVE TË HUAJA: PERSPEKTIVA E STUDENTËVE TË UNIVERSITETIT
Lela IVANOVSKA
Silvana NESHKOVSKA
Milena KASAPOSKA-CHADLOVSKA
Vesna TRAJKOVSKA
Buletini Shkencor 36, 35-62, (2024)
Fjalë kyçe: mjetet e AI, përvetësimi i gjuhëve të huaja, arsimi terciar
Inteligjenca artificiale (IA) është bërë pjesë e pashmangshme e praktikave
bashkëkohore të të mësuarit. Nxënësit kanë në dispozicion mjete të ndryshme
të zhvilluara mbi parimet e IA, të cilat u ofrojnë atyre përvoja të
personalizuara të mësimit të gjuhës. Kjo mund të zbatohet për përvetësimin e
fjalëve të reja dhe kombinimet e tyre në struktura më të gjata sintaksore, ose
për zotërimin e rregullave gramatikore dhe përdorimin e tyre praktik në
mjedise dhe situata të ndryshme të të folurit, të shoqëruara me reagime
përkatëse, në kohë reale. Kur përdoren në mënyrën e duhur, mjetet e IA mund
ta transformojnë procesin e të mësuarit në një përvojë motivuese, duke
mundësuar qasje në kategori të ndryshme nxënësish me prejardhje të
ndryshme, nga e gjithë bota. Qëllimi i punimit është i dyfishtë – të analizojë
qëndrimin dhe përvojën e studentëve të universitetit ndaj mjeteve të IA në
mësimin e një gjuhe të huaj dhe të ndihmojë në identifikimin e këndvështrimit
të tyre mbi çështjet dhe rreziqet e mundshme që dalin nga përdorimi i IA në
arsimin e lartë. Për qëllime të këtij studimi, ne zhvilluam një anketë online
për nxënësit e gjuhëve të huaja të ndryshme në institucione të ndryshme të
arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Analiza cilësore dhe
sasiore e rezultateve të fituara zbulon se përderisa studentët e gjuhës po
fillojnë përfundimisht të përdorin mjetet e IA për të përmirësuar aftësitë e tyre
në gjuhët e huaja, ata gjithashtu janë të vetëdijshëm për rreziqet e fshehura
të një përdorimi të tepruar dhe të painformuar të IA.
E VËRTETË APO E RREME? PIKËPAMJET E STUDENTËVE TË UNIVERSITETIT MBI ‘LAJMET E RREME’ NË ARSIMIN FILLOR
Menelaos TZIFOPOULOS
Buletini Shkencor 36, 62-75, (2024)
Fjalët kyçe: Lajme të rreme, shkrim-leximi i mediave, arsimi fillor, mësuesit
kandidatë
Hulumtimet aktuale tregojnë se ne lexojmë një sasi të madhe informacioni në
një periudhë të shkurtër kohe, por shpesh pa dalluar se kur ky informacion
është i vërtetë apo i rremë. Në veçanti, bëhet e dukshme se një numër i madh
i përdoruesve të ‘Social Media’ ndajnë përmbajtje me përdoruesit e tjerë, duke
e konsideruar si të vërtetë, ndërsa përbën ‘Fake News’. Hulumtimet në SHBA
tregojnë se përdoruesit e internetit në vitin 2016 ndanë më shumë lajmetë
rreme gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 sesa faktet e vërteta
zgjedhore. Në këtë logjikë, marrësi i një lajmi të rremë mund të ndikohet për
shkak të supozimeve, paragjykimeve apo përfshirjes emocionale në lajme.
Duhet të kuptojmë gjithashtu madhësinë e “rrezikut” të përfshirë në marrjen
e informacionit, pa kontrolluar burimet dhe vlefshmërinë e tij. Për këtë arsye,
në këtë shkrim do të prezantohen pikëpamjet e mësuesve kandidatë të
Departamentit të Arsimit Fillor të Universitetit të Maqedonisë Perëndimore
mbi lajmet e rreme përmes hulumtimeve sasiore. Pjesëmarrësit përcaktojnë
përmbajtjen e lajmeve të rreme dhe, në të njëjtën kohë, vërejnë nëse janë
informuar nga studimet e tyre universitare për çështje të tilla. Për më tepër,
propozohen mënyra për të rritur aftësitë e shkrim-leximit në media të
64
nxënësve të shkollave fillore. Gjetjet e hulumtimit, nëpërmjet statistikave
përshkruese, zbulojnë se shumica e mësuesve të mundshëm janë të
vetëdijshëm për fenomenin e lajmeve të rreme, por nuk janë plotësisht të
informuar se si të merren me fenomenin në arsimin shkollor.
VËSHTRIM HISTORIK MBI FJALËZËN ‘NJË’ NË GRAMATOLOGJINË SHQIPE
Hysnie HAXHILLARI (HYSKA)
Buletini Shkencor 36, 75-91, (2024)
Fjalë kyçe: gramatikë, histori, një, nyjë e pashquar, pjesë ligjërate
Artikulli paraqet një vështrim historik të fjalëzës ‘një’ në gramatologjinë
shqipe duke filluar nga gramatikat më të heshme të shek. XVIII – XIX, vijon
me gramatikat e shek. XX dhe ato të fillimit të shek. XXI të autorëve të huaj e
vendës. Vështrimi historik mbi fjalëzën “një” përvijohet mbi bazën e
kronologjisë së veprës përkatëse duke pasur si objekt dy linja kryesore:
qëndrimet e studiuesve për fjalën “një” si pjesë ligjërate dhe funksionin e saj
gramatikor. Në gramatikat më të hershme kjo fjalë nuk përmendet si pjesë
ligjërate e gjuhës shqipe dhe, përgjithësisht, nuk njihet as si nyjë e pashquar
me funksionin e pashquarsisë ndaj emrit. Ky qëndrim mbahet edhe në
76
gramatikën akademike. Ndërsa në gramatikat më të vona të fundit të shek. XX
vihen re analiza më adekuate në lidhje me funksionin e fjalës “një” si nyjë e
pashquar e gjuhës shqipe.
NJË QASJE DIAKRONIKE RRETH TOGJEVE TË QËNDRUESHME NË GJUHËN ANGLEZE
Suela KOÇA
Buletini Shkencor 36, 91-107, (2024)
Fjalët kyçe: lidhje leksikore, konteksti gjuhësor, marrëdhënie semantike dhe
kulturore
Ky punim paraqet një qasje diakronike për studimin e togjeve të qëndrueshme
në gjuhën angleze brenda kontekstit gjuhësor të shekullit të 20-të. Këto lidhje
leksikore të përsëritura në gjuhë, janë tregues të rëndësishëm të
marrëdhënieve semantike dhe kulturore. Duke u bazuar në perspektiva të
ndryshme teorike nga autorë të shumtë, ky studim hulumton zhvillimin e
togjeve të qëndrueshme në gjuhën angleze gjatë shekullit të fundit. Përmes
analizës së veprave të ndryshme që përfaqësojnë periudha dhe zhanre të
92
ndryshme, ne shqyrtojmë rolin e faktorëve shoqëror, kulturor dhe gjuhësor në
formimin e modeleve të qëndrueshme. Për më tepër, hulumtojmë edhe
ndikimin e teorive gjuhësore për të kuptuar sa më mirë dukurinë e
pranëvënies së këtyre njësive. Duke sintetizuar idetë teorike me të dhënat
empirike, ky punim ofron një interpretim të detajuar të mënyrës se si kanë
ndryshuar këto togje të gjuhës angleze gjatë shekullit të kaluar, duke
ndihmuar sado pak në diskutime më të thelluara për zhvillimin e gjuhës.
SITI I TRASHËGIMISË BOTËRORE I BUTRINTIT: PERCEPTIMET E TURISTËVE DHE MENAXHIMI
Edlira MENKSHI
Ermira JASHIKU
Buletini Shkencor 36, 108-121, (2024)
Fjalë kyçe: park kombëtar, vlera të jashtëzakonshme, shpërndarje
arkeologjike, menaxhim i sitit, perceptimet e turistëve, plan menaxhimi.
Sitet e Trashëgimisë Botërore përfaqësojnë atraksionet turistike më të
rëndësishme në shumë vende. Butrinti është një sit arkeologjik shqiptar i
regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore në vitin 1992, për Vlerën e
Jashtëzakonshme Universale sipas Kriterit (iii). Situ arkeologjik është i
njohur gjerësisht në nivel botëror dhe është atraksioni më i vizituar turistik
në Shqipëri. Ky punim synon të identifikojë vlerat trashëgimore të Butrintit
dhe sfidat e menaxhimit lidhur me zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e
vlerave të tij të jashtëzakonshme. Turistët që vizitojnë sitin e trashëgimisë
botërore kërkojnë një përvojë të shtuar vlerë dhe autentike që lidhet me
perceptimet e tyre mbi informacionin që ofrohet në lidhje me vlerat
jashtëzakonshme, mbajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore,
menaxhimin e sitit, objektet turistike, si dhe mbrojtjen e mjedisit natyror.
Duke analizuar rezultatet e perceptimeve të grupit të turistëve, kërkimi mund
të ofrojë një referencë fillestare për menaxhuesit për përmirësimin e sistemit
të shërbimeve turistike dhe ruajtjen e ekosistemeve kulturore dhe natyrore të
pronës së trashëgimisë botërore.
VLERËSIMI I ARKIVAVE HISTORIKE PËR PROMOVIMIN TURISTIK TË NJË TERRITORI: NJË HULUMTIM I KËSAJ FUSHE MES SHQIPËRISË DHE ITALISË
Idamaria FUSCO
Olga LO PRESTI
Olga LO PRESTI
Metin VENXHA
Buletini Shkencor 36, 122-137, (2024)
Fjalë kyçe: arkiva, arkiva historike, turizëm, Itali, Shqipëri, Korça.
Ky artikull paraqet gjetjet fillestare të një projekti hulumtues për vlerësimin
e potencialit të promovimit turistik të arkivave historike dhe dokumentimit të
tyre në Itali dhe Shqipëri. Hipotezat fillestare lidhen me mundësinë e
përfitimit nga hulumtimet në arkiva historike si një entitet i padiskutueshëm
dhe unik (d.m.th. një kompleks dokumentesh dhe vendi i tyre për depozitim)
dhe mundësinë e përdorimit të dokumentimit arkivist për përmirësimin
turistik të një territori të caktuar.
Duke studiuar disa praktika të mira për të theksuar dhe promovuar arkivat
historike të strehuara në institucione shtetërore, komunale, publike dhe
private në dy vendet, kemi identifikuar disa lloje propozimesh efektive dhe
tërheqëse në kontekste të ndryshme (por jo vetëm), falë përdorimit të
teknologjive digjitale. Po ashtu, dokumentacioni historik, lidhur me një
komunitet dhe territor të caktuar, mund të përdoret për të krijuar itinerare
tematike dhe për të pasuruar ofertën kulturore për vizitorët, edhe pse i ruajtur
në arkiva që janë fizikisht larg territorit të tyre.
124
Përfundimi i studimit, propozimi ynë për promovimin e një territori përmes
regjistrave arkivore është i orientuar në qytetin dhe rajonin e Korçës, me
hartimin e një rruge ku rezultatet e hulumtimit tonë do të përplasen me
kërkimet historike të kryera nga një prej menaxherëve të projektit.
BALLKANI NGA LUFTA E PARË BALLKANIKE NË FUND TË LUFTËS GREKO-TURKE (1912-1922)
Orjon Ago
Metin Venxha
Buletini Shkencor 36, 138-160, (2024)
Fjalë kyçe: Lufta, Ballkani, shtete, kufij, traktate.
Ballkani për 10 vjet, 1912-1922 u përfshi në disa konflikte të mëdha që patën
ndikim në rajon. Dy luftrat ballkanike shkatuan me mijëra të vrarë e të
plagosur. Pasojat ekonomike ishin të jashtëzakonshme. Këto shkatërrime nuk
i frenuan ballkanasit dhe as i trembën për t’u përfshirë në konflikte të reja.
Një vit pas Luftës së Dytë Ballkanike, vendet e Ballkanit u përfshinë në atë që
bashkëkohësit e quajtën Lufta e Madhe. Futja në luftë e shteteve të Ballkanit,
u pa nga politikanët e këtyre vendeve si një mundësi për të realizuar ambicjet
e tyre të vjetra. Pozicionimi i tyre nuk ishte vetëm produkt i vendimeve të
Fuqive të Mëdha, por ishin dhe kalkulimet e liderëve politikë në funksion të
asaj që ata kërkonin të arrinin në fund të luftës.
Këto luftra e ndryshuan Ballkanin nga pikëpamja gjeopolitike. Pas
largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani edhe Austro-Hungaria e
mundur në fund të Luftës së Parë Botërore u shpërbë. Shtetet e Ballkanit
aleatë të fitimtarëve përfituan dhe zgjeruan territorin e tyre. Humbësit
paguan faturën. Etja e madhe për zgjerim në përmbushje të programeve
nacionaliste bëri që lufta të vazhdonte dhe pas mbarimit të Luftës së Parë
Botërore. Greqia duke menduar se ky ishte momenti i duhur për të realizuar
Megali Idenë ndërmori një aventurë në Azinë e Vogël, e cila pati pasoja për
të.