Buletini Shkencor – Seria e shkencave shoqërore
NR. 36 | 2024

ARTICLES
HOMONIMET DHE PASQYRIMI I TYRE NË VEPRËN “FJALOR I HOMONIMEVE NË GJUHËN SHQIPE”
Ali JASHARI
Buletini Shkencor 35, 8-27, (2024)
Fjalë kyçe: homonimi, homonim, homonime leksikore, homonime leksikogramatikore, homografe, paragraf homonimik, shembullzim etj.
Në këtë artikull sqarohet për lexuesit koncepti i homonimisë si dukuri gjuhësore që
përftohet nga lidhjet leksiko-semantike të fjalëve gjatë përdorimit në ligjërim, pra “dy
ose më shumë fjalë me përbërje të njëjtë fonetike, por me kuptim krejt të ndryshëm (barI
“bimë e gjelbër”, barII “ilaç, mjekim”, barIII “lokal ku pihet kafe”, barIV “si term në
fizikë për shtypjen atmosferike”) etj., sikurse dhe sinonimia “dy ose më shumë fjalë
me përbërje të ndryshme fonetike, por me kuptim të afërt ose të njëjtë” (shoh≈
vështroj≈ vërej), apo antonimia “fjalë me përbërje të ndryshme fonetike, por me kuptim
të kundërt” (i bukur ≠ i shëmtuar etj.). Gjithashtu, shpjegohen dhe rrugët e lindjes së
homonimisë si dukuri gjuhësore në shqipe dhe në gjuhë të tjera, siç janë përputhja
fonetike e fjalëve përgjatë zhvillimit historik të gjuhës, të cilat kanë qenë fonetikisht të
ndryshme në krye të herës; përputhja ndërmjet fjalës shqipe dhe një a më shumë fjalëve
me burim të huaj; përputhja ndëmjet një fjale me përdorim të gjerë dhe një fjale
krahinore. Por, kur themi që homonimia është një dukuri e brendshme e gjuhës, kemi
më shumë parasysh homonimet që krijohen nga shpërbërja e fjalëve shumëkuptimëshe
(polisemantike) dhe nëpërmjet mënyrave të fjalëformimit (të prejardhjes, të
konversionit etj.).
Vendin kryesor në artikull e zënë çështjet lidhur me pasqyrimin e homonimeve në
veprën “Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe”, si: kriteret leksikografike ku
mbështetet fjalori; lënda gjuhësore (burimet) dhe vëllimi; ndërtimi i fjalorit; llojet
kryesore të homonimeve që trajtohen leksikografikisht në fjalor; paraqitja e
homonimeve në fjalor përmes paragrafit homonimik; shënimet gramatikore dhe
stilistike; shpjegimi dhe shembullzimi e njësive homonimike nga ligjërimi i shkruar
dhe i folur etj.
STUDIMET ETIMOLOGJIKE PËR SHQIPEN SI DËSHMI E RËNDËSISHME PËR SHQYRTIMIN E GJINISË ASNJANËSE
Olger BRAME
Buletini Shkencor 35, 28-44, (2024)
Fjalë kyçe: gjini asnjanëse, dukuri gramatikore, dëshmi, studime etimologjike
Studimet etimologjike krijojnë hapësirë të gjerë hulumtimi për shumë aspekte të
studimit në gjuhë. Duke qenë se në etimologji gërshetohet studimi i njëkohshëm i të
gjitha rrafsheve të studimit të fjalës: rrafshit fonetik, gramatikor e semantik,si dhe duke
mbajtur parasysh faktin se këto rrafshe shihen të lidhura ngushtë edhe me elementë të
kulturës materiale e shpirtërore të bartësve të një gjuhe, kjo përbën një terren të
favorshëm për të shqyrtuar historinë e zhvillimit të fjalës, sipas ligjësive fonetike,
morfologjike, fjalëformuese e semantike, që veprojnë në gjuhë.
Në këtë kontekst, edhe objekti ynë i punimit, dëshmi të gjinisë asnjanëse, do të shihet
brenda këtyre studimeve, për të hedhur dritë mbi aspekte të zhvillimit të kësaj dukurie
gramatikore në gjuhën shqipe. Në qendër të punimit janë vendosur studimet
etimologjike të Gustav Meyerit, Eqrem Çabejt dhe Kolec Topallit
VËSHTRIM KRAHASUES I SHPREHJEVE FRAZEOLOGJIKE ME EMRA KAFSHËSH NË SHQIP DHE NË FRËNGJISHT
Pavllo CICKO
Buletini Shkencor 35, 45-59, (2024)
Fjalë kyce: frazeologji kontrastive, emra kafshësh, vizioni i realitettit, shprehje idiomatike, shqip, frëngjisht, mësimdhënie
Si një dukuri gjuhësore frazeologjia është një mënyrë e veçantë e interpretimit të realitetit që dallohet për ngarkesën e fortë kulturore që përcjell. Shprehjet frazeologjike me emra të kafshëve në shqip dhe frëngjisht pasqyrojnë kulturën e këtyre popujve. Aty shprehen emocione, karaktere, sjellje sociale dhe mësime morali. Mësimdhënia e gjuhës frënge si gjuhë e huaj nuk mund të jetë e sukseshme pa marë parasysh edhe përvehtësimin e shprehjeve frazeologjike. Studimi synon përshkrimin e karakteristikave semantike, sintaksore, dallimin e stereoptipeve dhe reflektimin mbi faktet gjuhësore që dëshmojnë se nga njëra gjuhë në tjetrën shprehjet kanë veçoritë e tyre.
Imazhet e tyre lidhen me dimensionin pragmatik të mësimit të gjuhës. Shprehjet janë njëherazi pasuri e ligjërimit por edhe vështirësi për ata që i mësojnë. Përdorimi i saktë i tyre është shenjë e integrimit në kulturën franceze të studentëve. Punimi sjell një kontribut origjinal si nga ana gjuhësore edhe nga pikpamja didaktike, duke mundësuar një lehtësim të kuptimit dhe përdorimit të sh.f. të frëngjishtes nga studentët shqipfolës.
Studimi dhe analiza krahasuese e tyre do të ndihmojë për një mësimdhënie më cilësore të frëngjishtes.
E VËRTETË APO E RREME? PIKËPAMJET E STUDENTËVE TË UNIVERSITETIT MBI ‘LAJMET E RREME’ NË ARSIMIN FILLOR
Menelaos TZIFOPOULOS
Buletini Shkencor 36, 62-75, (2024)
Fjalët kyçe: Lajme të rreme, shkrim-leximi i mediave, arsimi fillor, mësuesit
kandidatë
Hulumtimet aktuale tregojnë se ne lexojmë një sasi të madhe informacioni në
një periudhë të shkurtër kohe, por shpesh pa dalluar se kur ky informacion
është i vërtetë apo i rremë. Në veçanti, bëhet e dukshme se një numër i madh
i përdoruesve të ‘Social Media’ ndajnë përmbajtje me përdoruesit e tjerë, duke
e konsideruar si të vërtetë, ndërsa përbën ‘Fake News’. Hulumtimet në SHBA
tregojnë se përdoruesit e internetit në vitin 2016 ndanë më shumë lajmetë
rreme gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 sesa faktet e vërteta
zgjedhore. Në këtë logjikë, marrësi i një lajmi të rremë mund të ndikohet për
shkak të supozimeve, paragjykimeve apo përfshirjes emocionale në lajme.
Duhet të kuptojmë gjithashtu madhësinë e “rrezikut” të përfshirë në marrjen
e informacionit, pa kontrolluar burimet dhe vlefshmërinë e tij. Për këtë arsye,
në këtë shkrim do të prezantohen pikëpamjet e mësuesve kandidatë të
Departamentit të Arsimit Fillor të Universitetit të Maqedonisë Perëndimore
mbi lajmet e rreme përmes hulumtimeve sasiore. Pjesëmarrësit përcaktojnë
përmbajtjen e lajmeve të rreme dhe, në të njëjtën kohë, vërejnë nëse janë
informuar nga studimet e tyre universitare për çështje të tilla. Për më tepër,
propozohen mënyra për të rritur aftësitë e shkrim-leximit në media të
64
nxënësve të shkollave fillore. Gjetjet e hulumtimit, nëpërmjet statistikave
përshkruese, zbulojnë se shumica e mësuesve të mundshëm janë të
vetëdijshëm për fenomenin e lajmeve të rreme, por nuk janë plotësisht të
informuar se si të merren me fenomenin në arsimin shkollor.
VËSHTRIM HISTORIK MBI FJALËZËN ‘NJË’ NË GRAMATOLOGJINË SHQIPE
Hysnie HAXHILLARI (HYSKA)
Buletini Shkencor 36, 75-91, (2024)
Fjalë kyçe: gramatikë, histori, një, nyjë e pashquar, pjesë ligjërate
Artikulli paraqet një vështrim historik të fjalëzës ‘një’ në gramatologjinë
shqipe duke filluar nga gramatikat më të heshme të shek. XVIII – XIX, vijon
me gramatikat e shek. XX dhe ato të fillimit të shek. XXI të autorëve të huaj e
vendës. Vështrimi historik mbi fjalëzën “një” përvijohet mbi bazën e
kronologjisë së veprës përkatëse duke pasur si objekt dy linja kryesore:
qëndrimet e studiuesve për fjalën “një” si pjesë ligjërate dhe funksionin e saj
gramatikor. Në gramatikat më të hershme kjo fjalë nuk përmendet si pjesë
ligjërate e gjuhës shqipe dhe, përgjithësisht, nuk njihet as si nyjë e pashquar
me funksionin e pashquarsisë ndaj emrit. Ky qëndrim mbahet edhe në
76
gramatikën akademike. Ndërsa në gramatikat më të vona të fundit të shek. XX
vihen re analiza më adekuate në lidhje me funksionin e fjalës “një” si nyjë e
pashquar e gjuhës shqipe.
NJË QASJE DIAKRONIKE RRETH TOGJEVE TË QËNDRUESHME NË GJUHËN ANGLEZE
Suela KOÇA
Buletini Shkencor 36, 91-107, (2024)
Fjalët kyçe: lidhje leksikore, konteksti gjuhësor, marrëdhënie semantike dhe
kulturore
Ky punim paraqet një qasje diakronike për studimin e togjeve të qëndrueshme
në gjuhën angleze brenda kontekstit gjuhësor të shekullit të 20-të. Këto lidhje
leksikore të përsëritura në gjuhë, janë tregues të rëndësishëm të
marrëdhënieve semantike dhe kulturore. Duke u bazuar në perspektiva të
ndryshme teorike nga autorë të shumtë, ky studim hulumton zhvillimin e
togjeve të qëndrueshme në gjuhën angleze gjatë shekullit të fundit. Përmes
analizës së veprave të ndryshme që përfaqësojnë periudha dhe zhanre të
92
ndryshme, ne shqyrtojmë rolin e faktorëve shoqëror, kulturor dhe gjuhësor në
formimin e modeleve të qëndrueshme. Për më tepër, hulumtojmë edhe
ndikimin e teorive gjuhësore për të kuptuar sa më mirë dukurinë e
pranëvënies së këtyre njësive. Duke sintetizuar idetë teorike me të dhënat
empirike, ky punim ofron një interpretim të detajuar të mënyrës se si kanë
ndryshuar këto togje të gjuhës angleze gjatë shekullit të kaluar, duke
ndihmuar sado pak në diskutime më të thelluara për zhvillimin e gjuhës.
SITI I TRASHËGIMISË BOTËRORE I BUTRINTIT: PERCEPTIMET E TURISTËVE DHE MENAXHIMI
Edlira MENKSHI
Ermira JASHIKU
Buletini Shkencor 36, 108-121, (2024)
Fjalë kyçe: park kombëtar, vlera të jashtëzakonshme, shpërndarje
arkeologjike, menaxhim i sitit, perceptimet e turistëve, plan menaxhimi.
Sitet e Trashëgimisë Botërore përfaqësojnë atraksionet turistike më të
rëndësishme në shumë vende. Butrinti është një sit arkeologjik shqiptar i
regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore në vitin 1992, për Vlerën e
Jashtëzakonshme Universale sipas Kriterit (iii). Situ arkeologjik është i
njohur gjerësisht në nivel botëror dhe është atraksioni më i vizituar turistik
në Shqipëri. Ky punim synon të identifikojë vlerat trashëgimore të Butrintit
dhe sfidat e menaxhimit lidhur me zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e
vlerave të tij të jashtëzakonshme. Turistët që vizitojnë sitin e trashëgimisë
botërore kërkojnë një përvojë të shtuar vlerë dhe autentike që lidhet me
perceptimet e tyre mbi informacionin që ofrohet në lidhje me vlerat
jashtëzakonshme, mbajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore,
menaxhimin e sitit, objektet turistike, si dhe mbrojtjen e mjedisit natyror.
Duke analizuar rezultatet e perceptimeve të grupit të turistëve, kërkimi mund
të ofrojë një referencë fillestare për menaxhuesit për përmirësimin e sistemit
të shërbimeve turistike dhe ruajtjen e ekosistemeve kulturore dhe natyrore të
pronës së trashëgimisë botërore.
VLERËSIMI I ARKIVAVE HISTORIKE PËR PROMOVIMIN TURISTIK TË NJË TERRITORI: NJË HULUMTIM I KËSAJ FUSHE MES SHQIPËRISË DHE ITALISË
Idamaria FUSCO
Olga LO PRESTI
Olga LO PRESTI
Metin VENXHA
Buletini Shkencor 36, 122-137, (2024)
Fjalë kyçe: arkiva, arkiva historike, turizëm, Itali, Shqipëri, Korça.
Ky artikull paraqet gjetjet fillestare të një projekti hulumtues për vlerësimin
e potencialit të promovimit turistik të arkivave historike dhe dokumentimit të
tyre në Itali dhe Shqipëri. Hipotezat fillestare lidhen me mundësinë e
përfitimit nga hulumtimet në arkiva historike si një entitet i padiskutueshëm
dhe unik (d.m.th. një kompleks dokumentesh dhe vendi i tyre për depozitim)
dhe mundësinë e përdorimit të dokumentimit arkivist për përmirësimin
turistik të një territori të caktuar.
Duke studiuar disa praktika të mira për të theksuar dhe promovuar arkivat
historike të strehuara në institucione shtetërore, komunale, publike dhe
private në dy vendet, kemi identifikuar disa lloje propozimesh efektive dhe
tërheqëse në kontekste të ndryshme (por jo vetëm), falë përdorimit të
teknologjive digjitale. Po ashtu, dokumentacioni historik, lidhur me një
komunitet dhe territor të caktuar, mund të përdoret për të krijuar itinerare
tematike dhe për të pasuruar ofertën kulturore për vizitorët, edhe pse i ruajtur
në arkiva që janë fizikisht larg territorit të tyre.
124
Përfundimi i studimit, propozimi ynë për promovimin e një territori përmes
regjistrave arkivore është i orientuar në qytetin dhe rajonin e Korçës, me
hartimin e një rruge ku rezultatet e hulumtimit tonë do të përplasen me
kërkimet historike të kryera nga një prej menaxherëve të projektit.
BALLKANI NGA LUFTA E PARË BALLKANIKE NË FUND TË LUFTËS GREKO-TURKE (1912-1922)
Orjon Ago
Metin Venxha
Buletini Shkencor 36, 138-160, (2024)
Fjalë kyçe: Lufta, Ballkani, shtete, kufij, traktate.
Ballkani për 10 vjet, 1912-1922 u përfshi në disa konflikte të mëdha që patën
ndikim në rajon. Dy luftrat ballkanike shkatuan me mijëra të vrarë e të
plagosur. Pasojat ekonomike ishin të jashtëzakonshme. Këto shkatërrime nuk
i frenuan ballkanasit dhe as i trembën për t’u përfshirë në konflikte të reja.
Një vit pas Luftës së Dytë Ballkanike, vendet e Ballkanit u përfshinë në atë që
bashkëkohësit e quajtën Lufta e Madhe. Futja në luftë e shteteve të Ballkanit,
u pa nga politikanët e këtyre vendeve si një mundësi për të realizuar ambicjet
e tyre të vjetra. Pozicionimi i tyre nuk ishte vetëm produkt i vendimeve të
Fuqive të Mëdha, por ishin dhe kalkulimet e liderëve politikë në funksion të
asaj që ata kërkonin të arrinin në fund të luftës.
Këto luftra e ndryshuan Ballkanin nga pikëpamja gjeopolitike. Pas
largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani edhe Austro-Hungaria e
mundur në fund të Luftës së Parë Botërore u shpërbë. Shtetet e Ballkanit
aleatë të fitimtarëve përfituan dhe zgjeruan territorin e tyre. Humbësit
paguan faturën. Etja e madhe për zgjerim në përmbushje të programeve
nacionaliste bëri që lufta të vazhdonte dhe pas mbarimit të Luftës së Parë
Botërore. Greqia duke menduar se ky ishte momenti i duhur për të realizuar
Megali Idenë ndërmori një aventurë në Azinë e Vogël, e cila pati pasoja për
të.