ZGJERIMI I BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E ARSIMIT MIDIS UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” DHE UNIVERSITETEVE BULLGARE KA QENË NË FOKUS TË TAKIMIT QË AMBASADORI I REPUBLIKËS SË BULLGARISË NË SHQIPËRI, Z. MOMTCHIL RAYTCHEVSKI ZHVILLOI ME DREJTUES TË UNIVERSITETIT TË KORÇËS

Në datën 15 shkurt 2022, Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, z. Momtchil Raychevski zhvilloi një vizitë në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës, ku u prit në takim nga rektori, prof. dr. Dhimitri Bello dhe drejtues të tjerë të institucionit. Fillimisht Rektori falënderoi z. Ambasador për vizitën ndërsa vlerësoi mbështetjen e Ambasadës së Bullgarisë në drejtim të zgjerimit të bashkëpunimit të Universitetit “Fan S. Noli”  me universitetet bullgare në fushën e arsimit. Ai  e njohu atë me marrëveshjet e bashkëpunimit që Universiteti ynë ka me disa universitete të Bullgarisë, duke shprehur bindjen se ky takim do të hedhë një bazë të mirë për bashkëpunime të reja në kuadër edhe të programeve të BE-së për arsimin e lartë. Më pas, Rektori i ftoi në një diskutim më konkret dekanët e pranishëm në takim për të prezantuar edhe hapësirat e mundshme për bashkëpunim. Gjatë bisedës pjesëmarrësit vlerësuan faktin se mund të fillohet me gjëra të vogla për të mbëritur te ato më të mëdha dhe me impakt në zhvillimin  e rajonit.  Theksi u vu në mbështetjen që mund të ofrohet për stafin akademik dhe studentët me specializime, trajnime, shkëmbime përvojash në fusha të ndryshme që mbulojnë të katër fakultetet e këtij Universiteti në bujqësi, mësuesi, shkenca natyrore dhe shkenca humane dhe në ekonomi. Ambasadori Raytchevski falënderoi Rektorin për pritjen dhe ndër të tjera tha: “Ju jeni një shembull i shkëlqyer për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, si dhe për urat e bashkëpunimit që do të ndërtojmë në fushën e arsimit. Shpresoj që këtë bashkëpunim ta fillojmë sa më shpejt me kurset verore për të vijuar më pas me të tjera veprimtari me interes dypalësh. Unë i dëgjova me kujdes propozimet tuaja dhe do të shohim mundësinë për bashkëpunim edhe në programe të përbashkëta studimit, në fushën e botimeve, në mobilitete të stafit e studentëve etj.”. Ai tha se në këtë kuadër do të zhvillohen edhe takime të tjera, ku të jenë të pranishëm përfaqësues të universiteteve bullgare dhe të Universitetit “Fan S. Noli” për të diskutuar më konkretisht për veprimtaritë që mund të zhvillohen mes tyre.

Më pas, Ambasadori Raytchevski vizitoi disa nga qendrat e Universitetit në mjediset e rektoratit si dhe Bibliotekën Shkencore.

Previous Post
UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” ORGANIZOI NJË TAKIM TË STAFIT AKADEMIK ME MATURANTË TË SHKOLLËS SË MESME TË BASHKUAR “BARDHYL POJANI”, DUKE I NJOHUR ATA ME OFERTËN AKADEMIKE DHE MUNDËSITË E SHUMTA QË U OFRON UNIVERSITETI YNË NË TREGUN E PUNËS
Next Post
STUDENTË E PEDAGOGË TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” VIZITUAN KOSOVËN NË KUADËR TË 14-VJETORIT TË PAVARËSISË