Në mjediset e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane u prezantua projekti “Vlerësimi i statusit të vaksinimit dhe i profilit serologjik ndaj Hepatitit B tek punonjësit e shëndetësisë” i financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Sipas koordinatores, dr. Zhinzela Qyli projekti synon të vlerësojë statusin e vaksinimit dhe nivelin e mbrojtjes imunitare ndaj virusit të hepatitit B te punonjësit e shëndetësisë në rajonin e Korçës.
Studimi parashikon përfshirjen e mjekëve, infermierëve, personelit laboratorik dhe profesionistëve të shëndetit dentar, përmes mbledhjes së të dhënave me pyetësor dhe kryerjes së analizave serologjike (HBsAg, Anti-HBs dhe Anti-HBc).
Rezultatet e këtij projekti do të kontribuojnë në identifikimin e boshllëqeve në mbrojtjen imunitare, vlerësimin e nevojës për masa parandaluese dhe forcimin e strategjive të sigurisë në punë për personelin shëndetësor.
Synimi është të lidhet kërkimi shkencor me praktikën klinike, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit të profesionistëve dhe në përmirësimin e sigurisë së shërbimeve shëndetësore.







