UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” NDEROI ME CEREMONI MIRËNJOHJEJE PROF. DR. ALI JASHARIN ME RASTIN E DALJES NË PENSION, PAS NJË KARRIERE PEDAGOGJIKE DHE AKADEMIKE PREJ MË SHUMË SE PESË DEKADASH

Në datën 9 tetor 2025, Universiteti “Fan S. Noli” organizoi Ceremoninë e Mirënjohjes kushtuar prof. dr. Ali Jasharit me rastin e daljes së tij në pension, pas një karriere pedagogjike dhe akademike prej më shumë se pesë dekadash.

Në këtë takim mori pjesë stafi akademik e administrativ i UNIKO-së, studentë, përfaqësues të pushtetit lokal, të komuniteteve fetare, institucioneve, akademikë, miq e të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij rektori i UNIKO-së, prof. dr. Lorenc Ekonomi u shpreh: “Në çdo institucion të dijes vjen një moment kur ndalemi, jo për të folur për të ardhmen siç bëjmë zakonisht, por për të nderuar rrugëtimin e një njeriu që ka kontribuar thellësisht në ndërtimin e saj. Historia e një universiteti nuk shkruhet vetëm nga dokumentet dhe objektet, ajo ndërtohet ditë pas dite nga rrugëtimet e veçanta të njerëzve që me pasion e përkushtim i japin formë e shpirt këtij institucioni…Për një profesor pensionimi nuk është ndalim, por ndryshim i ritmit. Është një hapje e re drejt vetes, familjes, pasioneve të mbetura pezull, por gjithmonë duke i lidhur me vendin ku ka derdhur vite të tëra përpjekjesh, idesh e dijesh. Të tillë janë njerëzit që nuk e kanë parë arsimin si profesion, por si mision. Të tilla janë figurat që nuk janë ndalur vetëm te detyra, por janë bërë shtylla të institucioneve ku kanë shërbyer. Sot, jemi këtu për të nderuar një prej tyre- prof. dr. Ali Jasharin. Kjo ceremoni është një festë e dinjitetit dhe arritjeve”.

Prof. as. dr. Jonela Spaho, dekane e FEF-it  u shpreh se falë kontributit të profesor Ali Jasharit  janë organizuar në këtë universitet dhjetëra konferenca shkencore mbi figura të njohura të qarkut të Korçës dhe më gjerë, me botime dinjitoze që i bëjnë nder universitetit. Gjithashtu, ajo vuri në dukje kërkimin shkencor të profesor Jasharit, një punë e bërë me këmbëngulje për një periudhë të gjatë kohore, falë së cilës rezultati janë botime dhe fjalorë të gjuhës shqipe, të cilët do të mbeten një pasuri për të gjithë brezat që do të vijnë.

Për përgjegjësin e departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë prof. as. dr. Eris Rusi: “Ky auditor i mbushur plot me kolegë e studentë është si një familje e madhe për profesor Ali Jasharin dhe, nga familja anëtarët nuk largohen asnjëherë. Kjo duket edhe nga angazhimi i profesorit në vijim në veprimtaritë kërkimore e projektet e këtij Departamenti”.  

Urimet më të mira dhe kujtime të veçanta nga vitet e gjata të bashkëpunimit me profesor Ali Jasharin përcollën edhe prefekti i qarkut të Korçës, z. Nertil Jole, prof. dr.  Bardhyl Musai, prof. as. dr. Gjergji Mero, prof. as. dr. Besnik Skënderasi, prof. dr. Irena Nikaj, dr. Olger Brame e dr. Erinda Papa.  Në këtë ditë të veçantë për profesor Jasharin, ata shprehën urime, falënderime e mirënjohjen si kolegë, si bashkëpunëtorë në projekte të ndryshme, si ish-nxënës e studentë të tij, të cilët i ka udhëhequr e drejtuar në studimet e tyre, e si një mik i çmuar në këtë karrierë të gjatë akademike. Profesor Jashari ka ndikuar thellësisht në edukimin e brezave të rinj, në formimin e kapaciteteve të mësuesve në detyrë dhe në transformimin e arsimit të lartë në hapësirën mbarëshqiptare.Si studiues i gjuhës shqipe veçanërisht në lëmin e leksikografisë, frazeologjisë, semantikës dhe arsimit, ai ka lënë një trashëgimi të pasur jo vetëm në Universitetin “Fan S. Noli” por edhe në të gjitha institucionet akademike ku ka punuar.

Më pas rektori i Universiteti prof. dr. Lorenc Ekonomi i dorëzoi Certifikatën e Mirënjohjes me këtë motivacion: “Për ndihmesat e çmuara dhe të pandërprera në fushën e arsimit dhe të shkencës, për përkushtimin dhe profesionalizmin, integritetin akademik, për ndikimin e tij në formimin edhe edukimin e shumë brezave të studentëve, për punën e palodhur dhe shembullin që ka dhënë në zhvillimin e institucionit dhe komunitetit akademik. Në shenjë mirënjohjeje nga stafi akademik, ndihmësakademik dhe studentët me rastin e daljes në pension”.

Një urim të veçantë përcolli në këtë ceremoni kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Petrika Tollkuçi, i cili shprehu mirënjohje të pafundme për ndihmesën e çmuar të prof. dr. Ali Jasharit dhe në emër të Këshillit të Qarkut Korçë i dorëzoi atij Certifikatë Mirënjohjeje dhe Emblemën e Qarkut Korçë me rastin e ceremonisë së daljes në pension me këtë motivacion: Për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe kulturës letrare shqiptare”.

Falënderime dhe mirënjohje përcolli profesor Ali Jashari për të gjithë ata që e nderuan me organizimin dhe praninë e tyre në këtë ceremoni: Me detyrat që kam patur përgjatë viteve të jetës sime më është dashur të shkruaj shumë e shumë fjalë e ligjërata, por fjala e sotme para jush më është dukur shumë e vështirë. Dhe jo se përtoj të shkruaj, porse këto fjalë thuhen një herë në jetë dhe vetëm në një ditë si kjo që ju i keni kushtuar kohën dhe dëshirën e madhe për të më nderuar me rastin e pensionimit tim….Faleminderit të gjithëve ”. 

 

 

 

Previous Post
“DITA AKADEMIKE 2025” NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”- KRENARI DHE EMOCIONE

Accesibility Adjustments

Choose the right accessibility profile for you
OFF ON
Highlight Links Highlights all the links on the site!
OFF ON
Pause Animations Animations will be paused on the site!
OFF ON
Dyslexia Font Dyslexia Font will be applied on the site!
OFF ON
Hide Images All images will be hidden on the site!
Choose the right accessibility profile for you
Adjust Font Sizing
Default
High Saturation
High Contrast
Light Contrast
Dark Contrast
Adjust Letter Spacing
Default
Adjust Line Height
Default
Speak Mode
Align Center
Align Left
Align Right