Në datën 10 tetor 2024 në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, Universiteti “Fan S. Noli” organizoi një veprimtari ndërgjegjësuese nëpërmjet zërit të ekspertëve dhe specialistëve të shëndetit mendor. Në takimin, i cili u zhvillua në mjediset e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane në prani të pedagogëve e studentëve, të ftuarve nga universitete të tjera, përfaqësues të institucioneve etj. u përcollën mesazhe mbi rëndësinë e kësaj dite.
Në kuadër edhe të sloganit të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor të këtij viti “Është koha të prioritizojmë shëndetin mendor në vendin e punës”, ekspertja e shëndetit mendor njëkohësisht edhe pedagoge pranë UNIKO, Çiljeta Simaku foli për prioritizimin e shëndetit mendor në vendin e punës.
Të pranishmit i përshëndeti zëvendësrektori për mësimin, prof. as. dr. Lorena Zeqo, përgjegjësja e departamentit të Infermierisë, dr. Elda Nuni, përfaqësues nga Drejtoria e Kujdesit Social, Bashkia Korçë; Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror Qarku Korçë etj.
Në lidhje me rëndësinë dhe mesazhet që percjell kjo ditë diskutuan edhe mjeku psikiatër Spero Binishi, ekspertë dhe studiues në fushën e shëndetit mendor, studentë.
Federata Shqiptare e Sportit Universitar përmbylli veprimtarinë me një lojë volejbolli midis stafeve universitare të UNIKO dhe UT, duke përcjellë mesazhin se sa i rëndësishëm është sporti për shëndetin mendor dhe për mirëqenien e përgjithshme.