Universiteti “Fan S. Noli” është një Institucion i Arsimit të Lartë Publik, i vendosur në qendër të juglindjes së Shqipërisë, në qytetin e Korçës.
Ai u krijua me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nr: 5 datë 07.01.1992 mbi bazën e Institutit të Lartë Bujqësor (ILB), i themeluar në vitin 1971. Universieti mban emrin zyrtar “Fan S. Noli”, Korçë dhënë në vitin 1994 me vendim të Këshillit të Ministrave.Veprimtarinë akademike Universiteti i Korçës e filloi në janar të vitit 1992, me tre fakultete: Fakulteti i Bujqësisë, Fakulteti i Mësuesisë dhe Fakulteti i Ekonomisë.Në 18 dhjetor të vitit 2001, presidenti i Republikës (në atë kohë), z. Rexhep Mejdani i dha Universitetit “Fan S. Noli”, Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë.
Në vitin akademik 2009-2010 u hap në qytetin e Pogradecit filiali i Universitetit të Korçës me programin e studimit “Turizëm”, i cili funksionoi si i tillë deri në vitin 2014.
Në vitin akademik 2011-2012 Fakulteti i Mësuesisë u nda në dy fakultete: Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane dhe Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë.
Prej vitit akademik 2012-2013 Universiteti i Korçës është i organizuar në 4 fakultete: Fakulteti i Bujqësisë, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane.
Në 18 maj të vitit 2015 Universitetit “Fan S. Noli” iu akordua nga presidenti i Republikës (në atë kohë), z. Bujar Nishani, Urdhri i Artë “Nderi i Kombit”.
Sot, Universiteti “Fan S. Noli” është qendra më e madhe arsimore, kulturore dhe shkencore në rajonin e Korçës dhe më gjerë.
UNIKO ka sot mbi 120 marrëveshje aktive bashkëpunimi me institucione arsimore dhe joarsimore, brenda dhe jashtë vendit. Në kuadër të partneriteteve janë kryer shkëmbime të stafeve akademike, kërkuesve dhe studentëve, janë zhvilluar veprimtari të përbashkëta kërkimore- shkencore, konferenca, takime, seminare etj., në interes të ngritjes së vazhdueshme të cilësisë dhe zhvillimit të arsimit të lartë.