UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” I KORÇËS DHE AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË (ASHSH) NËNSHKRUAN MARRËVESHJEN E BASHKËPUNIMIT NË TË GJITHA FUSHAT E DIJES DHE TË SHKENCËS

Në datën 19 prill 2021, në mjediset e UNIKO, rektori, prof. dr. Dhimitri Bello dhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit midis dy institucioneve, e cila do të shtrihet në të gjitha fushat e dijes dhe të shkencës. Gjatë një takimi, ku morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të të dy institucioneve, rektori, prof. dr. Dhimitri Bello shprehu kënaqësinë e konkretizimit zyrtar të një bashkëpunimi, i cili ka nisur prej kohësh midis dy institucioneve. Ai tha se UNIKO, me meritë renditet sot ndër universitetet më të mira në vend dhe shprehu bindjen se ky Universitet do të vazhdojë të ecë në këtë drejtim dhe të ketë sukseset që ka patur deri më tani. Këtë e tregoi më së miri vlerësimi maksimal gjatë akreditimit institucional dhe po e tregon edhe tani, gjatë akreditimit të programeve të studimit, disa prej të cilave e përfunduan këtë proces me vlerësime maksimale, ndërsa të tjera programe janë ende në proces.

Në fjalën e tij kryetari i ASH, akad. Skënder Gjinushi, tha se arsimi dhe shkenca ecin së bashku ndaj kjo është një arsye më shumë për të konkretizuar këtë marrëveshje, e cila është kurorëzimi i bashkëpunimit shumëvjeçar midis UNIKO dhe ASH. Ai shtoi se primare në politikën e çdo Akademie është bashkëpunimi me universitetet dhe, në këtë kuadër, nënvizoi se ASH me përvojat e saj shumë të mira do të kontribuojë në konkretizimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Gjatë takimit u nënvizua se të dy institucionet do të bashkëpunojnë me përparësi në shkencat albanologjike, në shkencat sociale, në disiplinat e reja të shkencave natyrore dhe teknike, si dhe në disiplinat që kanë lidhje me fusha imperative, si tërmetet apo pandemitë. Gjithashtu, në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të zhvillohen veprimtari të përbashkëta shkencore, si: kuvende, kongrese, konferenca, forume, simpoziume etj.

Do të bashkëpunohet për kryerjen e studimeve të përbashkëta, për aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore, vendore, rajonale dhe europiane, si dhe për nxitjen dhe promovimin e studiuesve të rinj.

Në fund të takimit, në shenjë mirënjohjeje nga stafi akademik, studentët dhe drejtuesit e UNIKO akademiku, prof. dr.  Skënder Gjinushi u vlerësua me Emblemën e Artë të Universitetit “Fan S. Noli” me motivacionin: “Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, personalitet i shquar i shkencave shqiptare, profesor i matematikës, i cili ka mëkuar me dashurinë për dijet në këtë shkencë breza të tërë studentësh, për ndihmesat e çmuara që ka dhënë ndër vite institucioni që ai drejton në zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta shkencore dhe drejtime të tjera”.

Previous Post
VENDIM REKTORATI PËR SHTYRJEN E AFATIT TË PAGESËS SË TARIFËS SË SHKOLLIMIT PËR TË GJITHË STUDENTËT E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, BACHELOR DHE PROGRAMEVE 2-VJEÇARE PROFESIONALE, DERI NË DATË 31 MAJ 2021
Next Post
UNIKO DHE AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË ORGANIZUAN VEPRIMTARINË JUBILARE: “MIHAL GRAMENO-MENDIMTAR E VEPRIMTAR” NË 150-VJETORIN E LINDJES