Në datën 3 dhjetor 2024 në Universitetin “Fan S. Noli” me rastin e Ditës Botërore të Aftësisë së Kufizuar u zhvillua një fushatë njëditore ndërgjegjësuese për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara për jetë të pavarur. Kjo fushatë i bën jehonë vullnetarizmit të komunitetit, veçanërisht të të rinjve, për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
Këtë takim e solli Shoqata MEDPAK në kuadër të projektit “Të rinjtë për një shoqëri gjithëpërfshirëse”, që po zbaton në partneritet me Bashkinë e Korçës dhe Universitetin “Fan S. Noli, me punën e UNDP, si pjesë e programit “Askush të mos mbetet pas” / “Leave NO One Behind 2” që financohet nga qeveria zvicerane.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të pushtetit vendor, Universiteti i Korçës, Këshilli Rinor Vendor, biznese, institucione të arsimit profesional, si dhe të rinj, persona me aftësi të kufizuar dhe familjarë të tyre.
Në sallën e Amfiteatrit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, fjalën e mirëseardhjes e mbajti z. Eduart Shehu, koordinator i projektit, ndërsa më pas përcollën përshëndetjet dhe mesazhet e tyre në këtë ditë znj. Zela Koka, kryetare e Shoqatës MEDPAK, z. Francisko Roquette, zëvendëspërfaqesues i përhershëm, UNDP Shqipëri, dr. Aida Mosko, zëvendësrektor për shkencën dhe projektet, UNIKO, znj. Mariana Jorgji, drejtoreshë e Shërbimit Social, Bashkia Korcë, zj. Eriketa Koçibelli, nga Hotel “Koçibelli Korcë”, znj. Çelieta Cani Drejtoreshë e Qendrës Ditore të Zhvillimit Atelie etj.
Dy studentet e UNIKO, Marsida Rushan dhe Artiola Gurraj ndanë më pas me të pranishmit përvojat e tyre të deritanishme si vullnetare, ndërsa veprimtaria u përmbyll me ekspozitën e çelur në hollin e FEF me temë “Prej barrierave drejt mundësive” të përgatitur me rastin e kësaj dite nga studentët vullnetarë të Universitetit “Fan S. Noli”.