16 Korrik 2026- Viti akademik 2025–2026, sa i takon angazhimit dhe pjesëmarrjes në konferenca studentore solli përvoja mjaft interesante dhe të vlefshme për studentët e departamentit të Gjuhëve të Huaja, UNIKO.
Ndërsa sjellin përvojat e tyre nga këto pjesëmarrje, ata shprehen se u bënë pjesë e një sërë konferencash kombëtare e ndërkombëtare, duke prezantuar punimet e tyre kërkimore përkrah studentëve nga universitete të njohura në vend dhe në Evropë.
Konferencat studentore kane mbledhur çdo vit studentë dhe pedagogë nga një rrjet i gjerë universitetesh dhe institucionesh partnere, ku për studentët e këtij Departamenti përmendim bashkëpunimin në këtë kuadër me Universitetin “Vasile Alecsandri” i Bacău-t, Universitetin e Romës Tor Vergata, Universitetin Rovira i Virgili (Tarragona), Universitetin Ovidius të Konstancës, Universitetin e Malit të Zi, Universitetin e Letonisë, Universitetin e Vilniusit, Universitetin “Konstantin Preslavsky” të Shumenit, si dhe Fakultetin e Letrave, Qendra Universitare në Baia Mare, Rumani, partneritete që krijojnë një hapësirë të rëndësishme për dialog akademik, kërkim shkencor, shkëmbim përvojash dhe ndërkombëtarizim.
Sipas përgjegjëses së Departamentit, prof. as. dr. Eriola Qafzezi përmes këtij bashkëpunimi, studentët tanë u përfshinë aktivisht në komunitetin akademik ndërkombëtar dhe fituan përvoja të vlefshme në fushën e kërkimit shkencor. Ata janë prezantuar me punime në fusha si gjuhësia, përkthimi, komunikimi, letërsia, media, kultura, mësimdhënia dhe studimet ndërkulturore. Një pjesë e këtyre kontributeve u botuan në përmbledhjet zyrtare të konferencave, duke u shndërruar në një burim të vlefshëm akademik dhe një platformë për bashkëpunime të reja kërkimore. Në disa prej këtyre aktiviteteve, studentët e UNIKO janë vlerësuan edhe me çmime dhe vlerësime akademike, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes dhe angazhimit të tyre.














