Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

FAKULTETI I BUJQËSISË

fak_bujqesise

HISTORIKU DHE OBJEKTIVAT E FAKULTETIT TË BUJQËSISË

Fakulteti i Bujqësisë është në vazhdim të traditës së krijuar nga Instituti i Lartë Bujqësor, i cili u çel në 15 Qershor të vitit 1971. Pas çeljes së Universitetit të Korçës (me VKM Nr. 5 datë 7 janar 1992), ai  ishte një prej tre njësive kryesore të tij, me emërtimin “Fakulteti i Bujqësisë”.  Misioni i këtij Fakulteti ka qenë dhe është përgatitja e specialistëve të aftë si në fushën e bujqësisë, ashtu edhe të ekonomisë së vendit tonë, duke përmbushur me sukses kërkesat e reja që ka jo vetëm rajoni, por edhe vendi ynë për specialistë në këto fusha, të cilët arritën të ngrenë në nivele edhe më të larta traditën dhe përvojën e trashëguar. Ky Fakultet, me një përvojë 45-vjeçare, ka rinovuar vazhdimisht programet e studimit dhe ka përmirësuar cilësisht kurrikulat e tij. Në auditorët e Fakultetit të Bujqësisë janë përgatitur një numur i madh studentësh në fusha të ndryshme, si: agronomë të përgjithshëm, inxhinierë agronomë në profilet agroushqim dhe hortikulturë, ekonomistë të agrobiznesit, etj.


 

  • Në vitin 1992 u hap programi i studimit “Inxhinieri Agronomike” me afat studimi 4,5 vjet me dy profile: “Profili Agroushqim” dhe “Profili Hortikulturë”.
  • Në vitin 2005 programi i studimit “Inxhinieri Agronomike” profili Agroushqim, u riorganizua në  programi i studimit të ciklit të parë “Agroushqim” me afat studimi 3 vjet me 180 kredite
  • Në vitin 2003 u hap programi i studimit të ciklit të parë “Agrobiznes” me afat studimi 4 vjet me 240 kredite, i cili u riorganizua në vitin 2005 me afat studimi 3 vjet me 180 kredite.
  • Në vitin 2004 u hap programi i studimit të ciklit të parë “Hortikulturë” me afat studimi 3 vjet me 180 kredite.
  • Në vitin 2008 u hap programi i studimit “Master i Nivelit të Parë” në “Zhvillim i Integruar Rural”, me afat studimi një vit, me 60 kredite dhe u riorganizua në vitin 2011 me afat studimi 1,5 vjet me 90 kredite.
  • Në vitin 2009 u hap programi i studimit “Teknologji e Prodhimit Bimor” me afat studimi 3 vjet, me 180 kredite.
  • Në vitin 2011 në Fakultetin e Bujqësisë u hap programi i studimit të ciklit të tretë (Doktoraturë) në “Hortikulturë të Qëndrueshme”
  • Në vitin 2012 u hap programi i studimit të ciklit të dytë “Master i Shkencave” në “Mjekësi Bimore” me afat studimi 2 vjet me 120 kredite.
  • Në vitin 2013 u riorganizua programi i studimit të ciklit të parë “Hortikulturë” në “Mjekësi e Bimëve dhe Hortikulturë” me afat studimi 3 vjet me 180 kredite.
  • Në vitin 2015 u riorganizua programi i studimit “Teknologji e Prodhimit Bimor” në “Inxhinieri Agronomike” me afat studimi 3 vjet me 180 kredite.

Specialistët që kanë përfunduar apo ata që vazhdojnë studimet në Fakultetin e Bujqësisë, marrin njohuri të plota dhe bashkëkohore për të punuar e drejtuar në fushat e ndryshme të bujqësisë dhe ekonomisë së vendit, si: në ato të teknologjisë së kultivimit të bimëve të arave, të prodhimit dhe përpunimit të frutave dhe perimeve, të prodhimit të farave e fidanave, prodhimit blegtoral, shfrytëzimit të makinerive bujqësore, etj. Vëmendje e veçantë i është kushtuar menaxhimit dhe marketingut të produkteve bujqësore e blegtorale, si dhe drejtimit e menaxhimit të ndërmarjeve agroperpunuese, fermave bujqësore e blegtorale, etj.

Nga pikëpamja organizative, Fakulteti i Bujqësisë përbëhet nga tre departamente:

  • Departamenti i Agronomisë, me grupin mësimor “Hortikulturë”
  • Departamenti i Agrobiznesit
  • Departamenti i Agroushqimit,

Në ndihmë të procesit mësimor dhe kërkimor e shkencor Fakulteti ka edhe njësinë EDE (Ekonomia Didaktike Eksperimentale) me 20 ha tokë, e cila shërben për kryerjen e praktikave mësimore si dhe të punës kërkimore e shkencore që bëjnë pedagogët e studentët e tij.

Në Fakultetin e Bujqësisë japin mësim 23 pedagogë të brendshëm dhe 10 pedagogë të ftuar, të cilët kanë një kualifikim dhe përvojë të lartë shkencore. Dy prej tyre mbajnë titullin “Profesor, nëntë janë “Profesorë të Asociuar”, shtatë “Doktorë”, si dhe pesë pedagogë janë me kualifikimin “Master i Shkencave” (të cilët janë në proces doktorature). Gjithashtu, ky Fakultet ka një infastrukturë mësimore e didaktike shumë të përshtatshme për zhvillimin e mësimit bashkëkohor, si dhe është i pajisur me një bazë mjaft të pasur e moderne laboratorësh mësimorë e shkencorë, si laboratori i agroushqimit, laboratori i analizave të tokës e bimëve, laboratori i mikrobiologjisë, etj.

Fakulteti i Bujqësisë ka vendosur lidhje me Fakultete të Universiteteve të tjera dhe Institucioneve kërkimore-shkencore brenda e jashtë vendit. Bashkëpunimi me këto Universitete përfshin këto drejtime: shkëmbimi i përvojës; hartimi dhe botimi i teksteve me bashkautorësi; organizimi i veprimtarive të përbashkëta me pedadogë dhe studentë;  shkëmbime pedagogësh për të mbajtur ligjerata; veprimtari të përbashkëta shkencore, kulturore, dhe sportive me studentët;  botim në organet shkencore të universitetit tonë apo universiteteve të tjera; kryerje të praktikave profesionale të studentëve te njëri-tjetri, etj.

Fakulteti i Bujqësisë, pedagogët dhe studentët e tij, mbajnë lidhje dhe bashkëpunojnë me institucione mësimore dhe shkencore brenda e jashtë vendit.  Ky bashkëpunim lidhet me pjesëmarrjen e Fakultetit tonë si partner aktiv dhe serioz në projekte ndërkombëtare me fakultetet homologe të universiteteve të shumë vendeve perëndimore, si të Kosovës, Italisë, Greqisë, Maqedonisë, Francës, Rumanisë, Turqisë, etj.

Do të veçonim këtu kontaktet e vazhdueshme të stafit akademik në fushën e mësimdhënies dhe atë të kërkimit shkencor me TEI Selanik, Kozan, Follorinë (Greqi), Universitetin e Bitolës në Maqedoni, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Prishtinës, Kosovë, Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në Tetovë, Maqedoni, Universitetin e Barit, Itali, Universitetin e Zagrebit, Kroaci, e shumë universitete të tjera me të cilët ky Fakultet ka qenë partner në disa projekte TEMPUS,  ku pedagogët e këtyre fakulteteve kanë dhënë përvoja mësimore e shkencore si dhe leksione të ndërsjellëta. Në këto bashkëpunime e shkëmbime përvojash janë trajtuar probleme të cilat shqetësojnë sot bujqësinë tonë si në fushën e pemëtarisë, bioenergjisë, mbrojtjes së mjedisit, përmirësimit të  kurrikulave mësimore dhe të programeve tona të studimit.

 

INFORMACION

DEKAN I FAKULTETIT

Prof. as. dr. Gjergji Mero

Nr.Tel: ++355 822 48945   

e-mail:  gmero@unkorce.edu.al

e-mail:  gjmero@yahoo.com

 

SEKRETARJA E DEKANIT: 

Ermena Hoxha

Nr. tel : +355 82248945

e-mail: ehoxha@unkorce.edu.al

e-mail: ermena.hoxha@hotmail.com

 

 

SEKRETARIA E FAKULTETIT

Nr.Tel: ++355 822 48945   

Kryesekretare: Milika Ndini

e-mail: mndini@unkorce.edu.al

 

 

 

Leave a Reply