Nga data 25 qershor deri më 3 korrik 2026, në kuadër të bashkëpunimit akademik dhe ndërkombëtarizimit të Universitetit “Fan S. Noli”, pedagogët, dr. Aldona Minga dhe dr. Dorjan Marku, së bashku me studentët Aurel Ramo dhe Seat Meto, të departamentit të Agrobiznesit, Fakulteti i Bujqësisë, morën pjesë në Research School “Integrated Modeling and Decision Support for Sustainable Agri-Food Systems”, organizuar në CIHEAM Montpellier, Francë.
Programi i trajnimit u fokusua në modelimin e integruar dhe përdorimin e metodave dhe instrumenteve të mbështetjes së vendimmarrjes për zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme agroushqimore.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit të tyre në Montpellier, përfaqësuesit e Universitetit tonë morën pjesë edhe në International Farming Systems Association (IFSA) Europe Conference 2026 me temë “Farming and Agri-Food Systems Dynamics: Facing Crises and Trade-Offs in Transition Pathways”, një aktivitet i rëndësishëm shkencor ndërkombëtar që krijoi mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, zgjerimin e rrjeteve akademike dhe forcimin e bashkëpunimit me studiues dhe institucione ndërkombëtare.
Për stafin dhe studentët e UNIKO pjesëmarrja në këto veprimtari kontribuon në rritjen e kapaciteteve akademike dhe kërkimore, në forcimin e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë dhe sistemeve agroushqimore, si dhe në ndërkombëtarizimin e Universitetit.







