Fakulteti i Bujqësisë është në vazhdim të traditës së krijuar nga Instituti i Lartë Bujqësor, i cili u çel në 15 Qershor të vitit 1971. Pas çeljes së Universitetit të Korçës (me VKM Nr. 5 datë 7 janar 1992), ai ishte një prej tre njësive kryesore të tij, me emërtimin “Fakulteti i Bujqësisë”. Ky Fakultet me përvojë 50-vjeçare ka rinovuar vazhdimisht programet e studimit dhe ka përmirësuar kurrikulat e tij.
Në vitin 1992 u çel programi i studimit “Inxhinieri Agronomike” me afat studimi 4-5 vjet me dy profile: “Profili Agroushqim” dhe “Profili Hortikulturë”.
Në vitin 2005 programi i studimit “Inxhinieri Agronomike” profili Agroushqim, u riorganizua si program i studimit të ciklit të parë “Agroushqim” me afat studimi 3 vjet me 180 kredite.
Në vitin 2003 u hap programi i studimit të ciklit të parë “Agrobiznes” me afat studimi 4 vjet me 240 kredite, i cili u riorganizua në vitin 2005 me afat studimi 3 vjet me 180 kredite.
Në vitin 2004 u hap programi i studimit të ciklit të parë “Hortikulturë” me afat studimi 3 vjet me 180 kredite.
Në vitin 2008 u hap programi i studimit “Master i Nivelit të Parë” në “Zhvillim i Integruar Rural”, me afat studimi një vit. Në vitin 2018, ky program studimi u riorganizua me 60 kredite.
Në vitin 2009 u hap programi i studimit “Teknologji e Prodhimit Bimor” me afat studimi 3 vjet, me 180 kredite.
Në vitin 2011 në Fakultetin e Bujqësisë u hap programi i studimit të ciklit të tretë (Doktoraturë) në “Hortikulturë të Qëndrueshme”
Në vitin 2012 u hap programi i studimit të ciklit të dytë “Master i Shkencave” në “Mjekësi Bimore” me afat studimi 2 vjet me 120 kredite.
Në vitin 2013 u riorganizua programi i studimit të ciklit të parë “Hortikulturë” në “Mjekësi e Bimëve dhe Hortikulturë” me afat studimi 3 vjet me 180 kredite.
Në vitin 2015 u riorganizua programi i studimit “Teknologji e Prodhimit Bimor” në “Inxhinieri Agronomike” me afat studimi 3 vjet me 180 kredite.
Për vtin akademik 2019-2020 Fakulteti i Bujqësisë ofron këto programe studimi:
Cikli i parë:
- “Bachelor” në “Agroushqim”
- “Bachelor” në “Agrobiznes”
- “Bachelor” në “Mjekësi e Bimëve dhe Hortikulturë”
- “Bachelor” në “Inxhinieri Agronomike”
Programe profesionale 2-vjeçare:
- “Menaxhim Biznesi Bujqësor”
- “Menaxhim Veterinar”
- “Teknika të prodhimit të farave dhe fidanëve”
Cikli i dytë, “Master profesional” në:
- “Zhvillim i Integruar Rural”
- “Cilësia dhe Siguria Ushqimore”
- “Inxhinieri Agrare, Profili Hortikulturë”
Doktoraturë:
- “Hortikulturë e qëndrueshme”
Nga pikëpamja organizative, Fakulteti i Bujqësisë përbëhet nga tre departamente:
- Departamenti i Agronomisë
- Departamenti i Agrobiznesit
- Departamenti i Agroushqimit
Ky fakultet ka një infastrukturë mësimore e didaktike të përshtatshme për zhvillimin e mësimit bashkëkohor, si dhe është i pajisur me një bazë laboratorësh mësimorë e shkencorë. Konkretisht si më poshtë:
- Laboratori i Agroushqimit. Pajisjet prodhim i vitit 2010. Ku bëhet kryerja e analizës së substancave të ndryshme ushqimore dhe blegtorale. Përdoret si laborator didaktik dhe analizash shkencore.
- Laboratori i Kimisë. Përdoret si laborator didaktik.
- Laboratori i Mikrobiologjisë. Prodhim i vitit 2010.
- Laboratori i Prodhimit Shtazor. Përdoret si laborator didaktik.
- Laboratori i Agrokimisë. Te gjitha pajisjet prodhim i vitit 2015. Përdoret si laborator didaktik.
- Laboratori i Pedologjisë. Pajisjet janë prodhim i viteve 2006-2015. Përdoret si laborator didaktik.
- Laboratori i Mbrojtjes së bimëve që shërben për studimin e patogjeneve bimore. Përdoret si laborator didaktik.
- Laboratori i bimeve të arave. Përdoret si laborator didaktik.
- Laboratori i perimtarise. Përdoret si laborator didaktik.
- Laboratori i frutikulturës. Përdoret si laborator didaktik.
- Laboratori i seleksionimit dhe prodhimit të farërave. Përdoret si laborator didaktik.
Në dispozicion të studentëve janë vendosur edhe laboratori i analizave të standardeve pranë AREB (Agjensia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor) dhe AKU (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit).
Në ndihmë të procesit mësimor dhe kërkimor e shkencor Fakulteti ka edhe njësinë EDE (Ekonomia Didaktike Eksperimentale) me 15 ha tokë, e cila shërben për kryerjen e praktikave mësimore si dhe të punës kërkimore e shkencore që bëjnë pedagogët e studentët e tij.
Fakulteti i Bujqësisë ka bashkëpunime me institucione mësimore dhe shkencore brenda e jashtë vendit. Ky bashkëpunim lidhet me pjesëmarrjen e Fakultetit tonë si partner aktiv dhe serioz në projekte ndërkombëtare me fakultetet homologe të universiteteve të shumë vendeve perëndimore, si të Kosovës, Italisë, Greqisë, Maqedonisë, Francës, Rumanisë, Turqisë, etj.
Do të veçonim këtu kontaktet e vazhdueshme të stafit akademik në fushën e mësimdhënies dhe atë të kërkimit shkencor me TEI Selanik, Kozan, Follorinë (Greqi), Universitetin e Bitolës në Maqedoni, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Prishtinës, Kosovë, Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në Tetovë, Maqedoni, Universitetin e Barit, Itali, Universitetin e Zagrebit, Kroaci, e shumë universitete të tjera me të cilët ky Fakultet ka qenë partner në disa projekte TEMPUS, ku pedagogët e këtyre fakulteteve kanë dhënë përvoja mësimore e shkencore si dhe leksione të ndërsjellëta. Në këto bashkëpunime e shkëmbime përvojash janë trajtuar probleme të cilat shqetësojnë sot bujqësinë tonë si në fushën e pemëtarisë, bioenergjisë, mbrojtjes së mjedisit, përmirësimit të kurrikulave mësimore dhe të programeve tona të studimit.