Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

BASHKËPUNIMI PËR FORMIMIN E VAZHDUAR-QËLLIM I TAKIMIT TË ZHVILLUAR MES ZËVENDËSREKTORIT PËR MËSIMIN, DR. ARTO ADILI DHE DREJTUESVE TË FAKULTETIT TË EKONOMISË, ME REKTORIN E AKADEMISË PËR BIZNES NË HOLLANDË, PROF. JAN VAN ZWIETEN

Në datën 22 dhjetor 2021, zëvendësrektori për mësimin, dr. Arto Adili, së bashku me drejtues të Fakultetit të Ekonomisë, priti në një takim rektorin e Akademisë për Biznes në Hollandë, prof. Jan van Zwieten. Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëpunimi për formimin e vazhduar, ku të pranishmit shprehën interesin e përbashkët në këtë drejtim. Zëvendësrektori Adili tha se Universiteti “Fan S. Noli” i ofron trajnimet në fushën e formimit të vazhduar për mësuesit në detyrë që prej vitit 2012, nëpërmjet QFV. Gjithashtu, ai nënvizoi se këto trajnime mund të zgjerohen edhe më tepër, duke përfshirë profesionistë të fushave e moshave të ndryshme, të cilët të kenë mundësi të certifikohen për profesionet e tyre. Të njëjtin mendim ndanë edhe përfaqësuesit e FE që gjithashtu dhanë ide konkrete për realizimin e këtij bashkëpunimi, hapësirat që mund të krijohen për përfshirjen e stafit akademik dhe studentëve, modulet që mund të ofrohen etj. Rektori i Akademisë për Biznes në Hollandë, prof. Zwieten, ndërsa solli konceptin e tij për këtë bashkëpunim, siguroi se institucioni që ai drejton ka një përvojë të gjatë në fushën e formimit të vazhduar dhe do të ofrojë mbështetjen e tij në këtë drejtim. Pikërisht në këtë kuadër ai tha se mund të bashkëpunohet edhe për programe të përbashkëta të këtij tipi, si dhe të mund të krijohet një rrjet i universiteteve nëpërmjet të cilëve të ofrohen specializime të ndryshme.

Leave a Reply

sqAlbanian