Fjala e Rektorit

MOTOJA JONË ËSHTË CILËSIA DHE NDËRKOMBËTARIZIMI

(përshëndetje e prof. dr. Lorenc Ekonomit, rektor i Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë)

Të dashur studentë dhe ish-studentë,

Të nderuar pedagogë dhe punonjës ndihmësmësimorë,

Të nderuar prindër dhe dashamirës,

Të nderuar vizitorë të faqes zyrtare të UNIKO,

Është kënaqësi e veçantë për mua që t’ju përshëndes përmes faqes zyrtare të UNIKO dhe t’ju ftoj që të bëheni pjesë e saj, sepse kjo faqe është një pasqyrë e gjallë e gjithë jetës dhe veprimtarisë së institucionit tonë brenda dhe jashtë auditorëve.

Siç dihet, UNIKO përgatit specialistë të lartë në fusha të tilla, si bujqësia, ekonomia, mësuesia, shkencat natyrore, shkencat humane etj., duke zhvilluar programe të studimit të ciklit të parë dhe të dytë, ku studentët pajisen me dije teorike dhe me njohuri praktike, të aftë për tregun e punës që është gjithnjë e më shumë në ndryshim.

Me një histori përmbi 50-vjeçare, tashmë UNIKO ka hyrë në një fazë të rëndësishme zhvillimi dhe transformimi për t’u përshtatur edhe më mirë me kërkesat e tregut të punës në rajon dhe për të përmbushur standardet ndërkombëtare të mësimdhënies, të punës kërkimore-shkencore dhe të shërbimeve ndaj të tretëve, duke hyrë me dinjitet në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë.

Hapja e programeve të studimit me diplomë të dyfishtë në të tre ciklet e studimit (bachelor, master dhe doktoraturë) në bashkëpunim me universitete të vendit, por sidomos me universitete të vendeve të BE-së, si me Italinë, Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë etj., është një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit.

Stafi ynë akademik është i përfshirë, gjithashtu, në projekte kërkimore dhe iniciativa të ndryshme, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, me qëllim që universiteti ynë të bëhet një qendër ekselence për zhvillimin e rajonit të Korçës e më gjerë.

Motoja e punës sonë është cilësia dhe ndërkombëtarizimi, ndaj dhe ftoj të gjithë maturantët të bëhen pjesë e komunitetit të Universitetit “Fan S. Noli”, duke i siguruar se këtu do të gjeni një mjedis pune të ngrohtë, mësimdhënie bashkëkohore dhe infrastrukturë moderne.

Ju uroj të gjithëve suksese!

Me respekt,

Prof. dr. Lorenc Ekonomi