Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

QKA – Rrjeti Alumni

Rrjeti “Alumni” në Universitetin “Fan S. Noli” është krijuar me qëllim rivendosjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve me studentët që kanë përfunduar studimet pranë Universitetit të Korçës. Studentët e Universitetit “Fan S. Noli”, të cilët kanë përfunduar studimet në institucionin tonë arsimor, janë të kërkuar nga tregu i punës për shkak të cilësisë së mësimdhënies, si nga ana praktike dhe nga ana teorike. Studentët “Alumni” të Universitetit “Fan S. Noli” sot janë punësuar në ndërmarrje private brenda dhe jashtë vendit. Një pjesë e konsiderueshme e studentëve janë punësuar edhe në sektorin publik duke dëshmuar aftësi, cilësi dhe formim profesional. Studentët, të cilët kanë rezultuar me arritje të shkëlqyera, sot punojnë si pedagogë, asistentë lektorë dhe si personel ndihmësakdemik pranë Universitetit “Fan S. Noli”. Kjo shpërndarje e madhe e studentëve tanë tregon për seriozitetin, punën e palodhur dhe rezultatet e arritura ndër breza në Universitetin “Fan S. Noli”.

Qëllimi i rrjetit “Alumni” është zhvillimi dhe funksionimi i tij duke shërbyer si një urë lidhëse mes studentëve të diplomuar dhe studentëve aktualë. Funksioni i rrjetit “Alumni” është të zhvillojë marrëdhëniet midis brezave duke shkëmbyer përvojat më të mira në fushën e arsimimit dhe punësimit. Historitë e suksesit të të diplomuarve në Universitetin “Fan S. Noli”, si dhe përvojat e tyre, janë dëshmi të suksesit për brezat e rinj, me qëllim orientimin e tyre në jetën profesionale.

Përgjigje të disa pyetjeve të zakonshme rreth përfshirjes në qendrën ALUMNI të Universiteti “Fan S. Noli”:

Çfarë është Qendra ALUMNI?

Qendra ALUMNI është një strukturë ndihmësakademike, e cila krijon dhe forcon lidhjet ekzistuese, si edhe zhvillon veprimtari ku përfshihen studentët aktualë dhe studentët ALUMNI (studentët e diplomuar) në UNIKO. Misioni i tij është të forcojë dhe të zhvillojë UNIKO nëpërmjet gjithëpërfshirjes së studentëve ALUMNI, angazhimin në veprimtari, të cilat synojnë promovimin e Universitetit në vend dhe më gjerë, si edhe të zhvillojë marrëdhënie midis brezave duke shkëmbyer përvojat më të suksesshme.

Kur u themelua Qendra ALUMNI?

Qendra ALUMNI është themeluar në vitin 2012 dhe zhvillon veprimtarinë e saj mbështetur në Ligjin e Arsimit të Lartë, Statutin dhe Rregulloren e përgjithshme të Universitetit “Fan S. Noli”, me qëllim që të ruajnë lidhjen dhe komunikimin mes të diplomuarve, stafit akademik dhe administrativ të UNIKO.

Çfarë bën Qendra ALUMNI?

Qendra ALUMNI parimisht funksionon si kontakt kryesor për të gjithë të diplomuarit e UNIKO. Kjo zyrë shërben si një mundësi jo vetëm ndërlidhjeje me Universitetin, por ALUMNIT mund të njihen herë pas herë me mundësitë e punësimit, internshipeve, veprimtarive që prezantohen nga kjo qendër.

Ku ndodhet zyra e Alumnit?

Qendra ALUMNI ndodhet në godinën e Rektoratit të Universitetit “Fan S. Noli”, kati i dytë.

Kush mund të jetë anëtar i Alumnit?

ALUMNI i UNIKO janë të gjithë studentët, të cilët janë diplomuar në Universitetin “Fan S. Noli”, pra të gjithë personat të cilët kanë diplomë apo certifikatë nga UNIKO.

Si mund ta ndryshoj adresën apo emrin në databazën e Alumnit?

Ne do të dëshironim që t’i kemi informacionet tuaja aktuale, që të mund të jemi në komunikim të vazhdueshëm. Për të ndryshuar të dhënat tuaja, ju mund të dërgoni një e-mail në postën elektronike: qka@unkorce.edu.al

Si mund të përfshihem më shumë në Qendrën ALUMNI?

Një nga mënyrat më të thjeshta për të qenë pjesë e Qendrës ALUMNI është pjesëmarrja në veprimtaritë që organizon kjo qendër. Është mundësi e shkëlqyer të përfshiheni në veprimtarinë studentore, si dhe të krijoni rrjete komunikimi në kuadër të profesionit tuaj. Për t’u njohur me njoftimet e mundshme ju mund të vizitoni faqen zyrtare elektronike të UNIKO: www.unkorce.edu.al

Si mund të vendosem në kontakte me Qendrën ALUMNI?

Nëse nuk e gjeni atë që ju kërkoni, mos hezitoni të drejtoni pyetjet në postën elektronike: qka@unkorce.edu.al, ose mund të paraqiteni fizikisht në mjediset e Qendrës ALUMNI.